Afati kalimtar i janarit pritet të jetë i ngarkuar te Manchester United. Por, ndryshe nga vera, janë largimet ato që pritet të tërheqin më shumë vëmendje.
Ruben Amorim është një vit në krye të skuadrës dhe përbërja e “Djajve të Kuq” ka ndryshuar tashmë ndjeshëm.
Disa lojtarë të afruar nga trajnerë të mëparshëm janë larguar, ndërsa të tjerë janë ende në listën e largimeve.
Sir Jim Ratcliffe famëkeq vendosi praktikisht çdo lojtar në shitje gjatë verës, çka solli largimin e emrave si Marcus Rashford, Alejandro Garnacho dhe Antony.
Me United që ende nuk ka gjetur qëndrueshmëri në Premierligë, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të largojnë lojtarë të panevojshëm për të financuar rindërtimin e vazhdueshëm.
Edhe disa lojtarë të akademisë po presin pranë derës së daljes përpara largimeve të mundshme. Madje, edhe ata që kanë qenë tashmë në huazim mund të lëvizin sërish.
JOSHUA ZIRKZEE
Lëvizja më e avancuar e mundshme para hapjes së merkatos është ajo e Joshua Zirkzee, i cili mund të bëhet shumë shpejt lojtar i Romës. Sipas “The Athletic”, përmes ndërmjetësve është paraqitur një ofertë huazimi me detyrim blerjeje, të cilën United po e shqyrton.
Kushtet personale nuk pritet të jenë problem, pasi sulmuesi holandez dëshiron t’i bashkohet Romës dhe të rrisë shanset për të luajtur në Kupën e Botës verën e ardhshme. Megjithatë, bisedimet mes klubeve për 24-vjeçarin ende nuk kanë nisur.
TYRELL MALACIA
Pa luajtur asnjë minutë këtë sezon, duket se largimi i Tyrell Malacia nga “Old Trafford” është çështje kohe. Një dëmtim afatgjatë praktikisht i ka shkatërruar karrierën e mbrojtësit të majtë holandez te United.
Malacia, 26 vjeç, kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te PSV Eindhoven, por marrëveshja nuk u bë e përhershme. Kontrata e tij me United përfundon në qershor.
TOBY COLLYER
I rikthyer tashmë zyrtarisht nga United, Toby Collyer pritet të huazohet për herë të dytë këtë sezon, sapo të rikuperohet nga një dëmtim në pulpë. Mesfushori 21-vjeçar u kthye së fundmi në “Old Trafford” për trajtim, pasi kishte qenë duke luajtur rregullisht te West Bromwich Albion.
Por, pasi të rikthehet në formë, Collyer nuk do të kthehet te “The Hawthorns”. Ish-lojtari i Brighton pritet të shkojë në një tjetër huazim të përkohshëm.
HARRY AMASS
Një lojtar që mund të qëndrojë te i njëjti klub huazimi është Harry Amass. Mbrojtësi i majtë, 18 vjeç, iu bashkua Sheffield Wednesday për gjysmën e parë të sezonit dhe ka qenë një nga pikat e pakta pozitive në “Hillsborough” mes vështirësive të skuadrës.
Paraqitjet e Amass kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera të Championshipit. Sheffield Wednesday shpreson ta zgjasë qëndrimin e tij deri në fund të sezonit, teksa lufton për të shmangur rënien nga kategoria.
DIEGO LEON
Diego Leon, i afruar nga United në korrik në një marrëveshje që mund të arrijë deri në 7 milionë paund, ka luajtur ekskluzivisht me akademinë pasi bëri paraqitje me ekipin e parë gjatë parasezonit. Mbrojtësi i majtë nga Paraguai ende po përshtatet me futbollin anglez, ndaj një huazim do të kishte kuptim.
Megjithatë, duke qenë vetëm 18 vjeç, United mund të presë deri sezonin e ardhshëm për t’i dhënë Leonit mundësi me ekipin e parë, qoftë diku tjetër apo në “Old Trafford”. Në tetor, adoleshenti mori ftesën e parë me kombëtaren e Paraguait dhe debutoi ndaj Koresë së Jugut, duke treguar sa shumë vlerësohet pas emrit që bëri te Cerro Porteño.