Marrëveshja e rinovimit mes Milanit dhe Mike Maignan është rikthyer në tavolinë pas muajsh ngecjeje.
Klubi kuqezi ka paraqitur një ofertë të re ekonomike, ndërsa portieri francez vlerëson mundësinë e qëndrimit — edhe pse interesimi nga brenda dhe jashtë Italisë mbetet i lartë.
Situata e Mike Maignan te Milani është rihapur plotësisht, pas muajsh pasigurie dhe pauze në negociatat për rinovimin e kontratës që skadon në qershor.
Bisedimet ishin ndalur në shkurt, kur pas disa gabimeve vendimtare klubi vendosi të frenonte procesin, duke rishikuar qasjen ndaj së ardhmes së kapitenit kuqezi.
Në verë, portieri ishte shumë pranë kalimit te Chelsea, por kërkesat financiare të Milanit dhe dëshira e Massimiliano Allegrit për ta mbajtur në skuadër bënë që operacioni të dështonte, me zotimin që palët do t’i riktheheshin çështjes në momentin e duhur.
Sipas raportimeve të fundit, ai moment ka ardhur. Milani ka paraqitur një ofertë të re prej rreth 7 milionë euro neto në sezon, përfshirë bonuset, me kontratë deri në vitin 2030 — shifër pothuajse e barabartë me kërkesën e Maignan prej 7.5 milionë plus bonuse.
Diferenca pritet të kompensohet përmes formulave stimuluese, ndërsa klubi ka sugjeruar edhe një shpërblim shtesë në rast se firma vendoset deri në muajin mars.
Në Milanello vërehet një rikthim i besimit për një “po” nga portieri, i cili ka qenë i zhgënjyer nga situata e dhjetë muajve më parë, por ndërkohë ndihet i vlerësuar nga Allegri dhe nga ambiciet e reja të skuadrës.
Megjithatë, drejtuesit po mbajnë të hapur edhe planin rezervë: është kontaktuar Hugo Souza, edhe pse oferta e parë për lojtarin e Corinthians është refuzuar.
Kujdes mbetet edhe konkurrenca në treg. Disa klube të Premier League kanë shfaqur interes, ndërsa brenda Serie A mund të hapen skenarë surprizë.
Juventus ka qenë prej kohësh në vëzhgim, ndërsa sipas “La Repubblica”, edhe Inter po studion mundësinë e një lëvizjeje, në një rast që do të kujtonte rastin Çalhanoglu — edhe pse zikaltërit duket se po fokusohen më shumë në pistën Vicario.