Fatmir Vata është një futbollist i cili la gjurmë të pashlyer në Bundesligën Gjermane. Me një stil të veçantë të lojës, i kompletuar teknikisht dhe me kreativitet u imponua te publiku si lojtari më i dashur i kohës së tij.
Emrat e mirëfilltë të mëdhenj nuk kanë veç fjalë koti duke jetuar në të kaluarën, por vazhdojnë të punojnë, që gjithë përvojën dhe profesionalizmin e tyre ta bartin te gjeneratat e reja.
Fatmiri pas përfundimit të karrierës së bashku me mikun e tij Fekmi Kongjeli, po ashtu ish-futbollist, e kanë vazhduar punën me grupmosha të reja për zbulimin e talentëve të rinj dhe për t’u ndihmuar në rrugëtimin e karrierës.
Fillimisht Fatmiri dhe Fekmiu ishin të përgatitur profesionalisht pasi paraprakisht ishin licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Fatmiri vazhdoi shkollimin e zejës së trajnerit ku arriti të pasurohet me licencë Profi trajner, ndërsa Fekmiu ushtronte punët administrative dhe menaxheriale.
Dhe shumë shpejt ky projekt ra në sy të ekspertëve gjerman dhe përmes Jürgen Holletzek udhëheqës i shkollave të futbollit të dy klubeve të Bundesligës, Vfl Bochum dhe Hannover 96, ofruan bashkëpunim që Fatmiri të punoi me shkollat e futbollit të organizuara gjithandej Gjermanisë.
Dhe tani e pesëmbëdhjetë vite në mbarë Gjermaninë me trajnerë e ish-lojtarë, emrat më të njohur të futbollit gjerman, Manfred Kalltz,Uwe Rapolder,Thomas von Heesen, Holger Fach e dhjetëra të tjerë, Fatmiri kryen punën më fisnike me shumë sukses duke qenë i respektuar dhe shumë herë i shpërblyer nga komuniteti i prindërve dhe ai i futbollit.
Me mijëra fëmijë kanë kaluar në përkujdesje të Fatmirit dhe me qindra talent janë zbuluar.
Fatmiri vazhdon të jetë aktiv në evente gjithandej Gjermanisë dhe jashtë saj me legjendat e Bundesligës Gjermane.
Fatmiri edhe si futbollist i Bundesligës edhe si trajner krah Fekmi Kongjelit ishte ndër të rrallët që në kohërat më të vështira ndihmoi në lobim në përkrahje të Kosovës për pranim në UEFA e FIFA, për çka është nderuar edhe nga i ndjeri Fadil Vokrri por edhe nga Presidenti aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.