Xhonatan Tah u vendos menjëherë si titullar te Bajerni pas transferimit të tij nga Bajer Leverkusen dhe është një pjesë e pandashme e katërshes mbrojtëse nën drejtimin e trajnerit Vinsent Kompani.
Gjatë pushimit dimëror, qendërmbrojtësi ka nxjerr përfundimet e para pas gjysmës së parë të sezonit me gjigantët gjermanë.
Reprezentuesi gjerman është bërë shpejt titullar pas transferimit të tij qershorin e kaluar dhe ka zhvilluar tashmë 27 ndeshje zyrtare me fanellën e Bajernit. Sipas deklaratës së tij, vendimi për tu transferuar në Mynih erdhi në një masë të madhe falë trajnerit të Bajernit dhe ish-mbrojtësit të klasit botëror, Vinsent Kompani.
“Vinsent Kompani ishte një faktor vendimtar në transferimin tim, sepse më bindi dhe ndjeva se mund të rritesha dhe të përmirësohesha nën drejtimin e tij. Mund të mësoj shumë prej tij, sepse ai ishte një nga lojtarët më të mirë në pozicionin tim në atë kohë – dhe mbi të gjitha, një lider i vërtetë”, tha Tah në një intervistë. Pas kalimit nga Leverkuseni në Mynih, 29- vjeçari e kuptoi shumë shpejt se çfarë do të thotë të luash për klubin më të madh dhe më të suksesshëm në Gjermani.
Siç tregoi Tah: “Cilësia në stërvitje është e jashtëzakonshme – po ashtu edhe intensiteti. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë më parë.
Ndjej se të gjithë japin maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe nuk ka asnjë moment kur lëshojnë ritmin.
Kjo është vërtetë mbresëlënëse – dhe i gjithë klubi e mishëron këtë mentalitet”. Në pushimin dimëror, kampionët rekord të Gjermanisë ndodhen në një pozitë premtuese në të gjitha garat, me shanse reale për të fituar trofe në Bundesligë, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë.
“Bajerni gjithmonë synon të jetë pretendent për titull në çdo kompeticion. Dhe besoj se tani po ndërtojmë një bazë të mirë për të qenë në gjendje të luftojmë për të gjithë titujt në fund të sezonit. Jemi tashmë shumë përpara në këtë proces.
Por sigurisht, në fund gjithçka varet nga ndeshjet vendimtare”, vlerësoi Tah performancat e deritanishme në gjysmën e parë të sezonit si shumë premtuese.
Mbrojtësi fitoi dopietën, kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë, me Bajer Leverkusenin në vitin 2024 dhe tani synon të shtoj trofe të rinj në karrierën e tij.