Real Madridi po ndjek me shumë vëmendje situatën e Franco Mastantuonos, me klubin që po shfaq shqetësim për rënien e formës së talentit argjentinas.
Sulmuesi i ri, i cili mbërriti në Madrid mes pritshmërive të mëdha dhe u bë shpejt titullar, nuk ka arritur të konfirmojë potencialin që tregoi në fillim të aventurës së tij.
Sipas ‘Diario AS’, drejtuesit e Real Madridit po konsiderojnë seriozisht mundësinë që Mastantuono të huazohet gjatë verës, nëse performancat e tij nuk përmirësohen deri në fund të sezonit. Në këtë rast, klubi madrilen ka gati një zgjidhje të brendshme: rikthimin e Nico Paz.
\Paz po kalon një sezon shumë pozitiv në Serinë A me Como-n, ku tashmë ka arritur 10 kontribute direkte në gola dhe është një nga kandidatët kryesorë për çmimin “Lojtari i Ri i Vitit” në kampionatin italian.
Mesfushori ofensiv argjentinas mund të luajë në të njëjtin rol në krahun e djathtë si Mastantuono dhe, mbi të gjitha, e njeh shumë mirë ambientin e Real Madridit.
Gjithçka, megjithatë, mbetet e hapur dhe varet nga Mastantuono.
Nëse ai arrin të rikthejë formën dhe të bindë deri në fund të sezonit, Real Madridi mund të mos bëjë ndryshime.
Në të kundërt, Nico Paz shihet si alternativa ideale për të forcuar repartin ofensiv në sezonin e ardhshëm.