E humbi vendin e titullarit te Vllaznia

- Bota Sot

E humbi vendin e titullarit te Vllaznia

Portieri Kristi Qarri ka njoftuar se do të largohet nga Vllaznia. Pasi humbi vendin e titullarit, gardiani ka vendosur të ndajë rrugët me klubin shkodran.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes postimeve në rrjetet sociale.

NJOFTIMI I PLOTË

Të nderuar sportdashës dhe përfaqësues të opinionit sportiv,

Sot dua t’ju njoftoj se rrugëtimi im me KF Vllaznia përfundon këtu. Pas shumë vitesh të kaluara së bashku, kam marrë vendimin të nis një kapitull të ri në karrierën time.

Ky klub ka qenë shtëpia ime që nga fëmijëria dhe vendi ku jam rritur si lojtar dhe si njeri. Gjatë këtij rrugëtimi kam përjetuar emocione të mëdha, por edhe një nga sfidat më të vështira të karrierës sime: një dëmtim i rëndë që më la jashtë fushës për një periudhë të gjatë dhe kërkoi shumë kohë rikuperimi. Sot, fatmirësisht, jam shumë mirë si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana psikologjike.

Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe shumë të vështirë të jetës dhe karrierës sime. Një falënderim i veçantë shkon për dy njerëzit më të rëndësishëm që kanë pasur ndikim të madh në zhvillimin tim profesional si portier. I pari është Paulin Ndoja, shpirti i tij pushoftë në paqe, i cili më mori që i vogël dhe më mësoi hapat e parë në karrierën time. Më pas, falënderimi shkon për Ideal Lekiqin, i cili nuk ishte thjesht trajneri im, por edhe shoku dhe këshilltari im.

Falënderoj çdo trajner, nga grupmoshat deri te ekipi i parë, të cilët kanë qenë një ndihmë e madhe për mua. Në veçanti dua të përmend Luan Zmijanin, me të cilin kemi kaluar momente të paharrueshme, kemi fituar trofe dhe kemi marrë pjesë dy herë në UEFA Youth League.

Falënderim i veçantë shkon për shokët e ekipit – ishte një nder i madh të luaja me ju dhe të ndaja si gëzimet, ashtu edhe mërzitjet. Falënderoj gjithashtu presidentin Alban Xhaferi, të cilit i uroj suksese në vazhdim.

Falënderimi më i rëndësishëm shkon për ata që më kanë nderuar dhe respektuar gjatë këtyre 15 viteve qe kur isha ne akademi deri tani: Vllaznit Ultras dhe çdo shkodran që më ka mbështetur. Ju uroj vetëm të mira dhe gëzime në jetë dhe në familjet tuaja.



Read it all at Bota Sot