Napoli duhet të bëjë sërish llogaritë pa Romelu Lukakun.
Sulmuesi belg nuk është ende gati për t’u rikthyer në fushë dhe kthimi i tij është shtyrë me rreth tri javë të tjera.
Fillimisht shpresa ishte që Lukaku të rikuperonte në fillim të janarit, por gjendja fizike nuk e lejon ende një rikthim pa rrezik.
Siç e kishte bërë të qartë edhe Antonio Conte disa ditë më parë, minutazhi i tij është ende zero dhe një rikthim i nxituar mund të sillte pasoja serioze.
Lukaku do të mungojë jo vetëm ndaj Lazios, por edhe kundër Veronës dhe Interit, ndeshje që fillimisht shihej si momenti i mundshëm i rikthimit. Struktura e fuqishme fizike e belgut dhe natyra e dëmtimit kërkojnë kohë dhe punë të kujdesshme për të shmangur çdo rikthim të dëmtimit. Objektivi është që ai të punojë me vazhdimësi dhe të arrijë formën optimale pa presion.
Në këtë situatë, drejtori sportiv, Giovanni Manna, në një intervistë për ‘Corriere dello Sport’, e ka bërë të qartë se merkatoja e janarit do të shfrytëzohet për përforcime, veçanërisht në repartin ofensiv. “Rikthimet e Anguissa-s dhe Gilmour-it janë më afër, ndërsa Lukaku dhe De Bruyne mbeten pikëpyetje. Për këtë arsye, do të donim të rrisnim cilësinë sidomos në sulm. Po bëjmë vlerësime”, është shprehur Manna.
Ai ka shmangur dhënien e afateve të sakta për Lukakun, duke theksuar se reagimi i trupit, sidomos në një moshë të caktuar, është vendimtar. Napoli, sipas tij, po vepron sikur Lukaku të mos jetë i disponueshëm për momentin, duke shpresuar në rikthime të tjera pozitive.
Në të gjithë këtë situatë, lajmi i mirë për Conten është forma e shkëlqyer e Rasmus Højlund.
Sulmuesi danez po rezulton vendimtar si në shifra, ashtu edhe në rritjen e tij taktike, duke përthithur me shpejtësi udhëzimet e trajnerit. Kjo i lejon Lukakut të rikuperojë pa presion, ndërsa Napoli mbetet i mbuluar përpara, edhe pse merkatoja mbetet aktive për përmirësime të mëtejshme.