Në një analizë të publikuar sot nga ‘La Gazzetta dello Sport’, legjenda e futbollit italian, Fabio Capello, ka dhënë mendimin e tij mbi garën për titull në Serie A, duke vlerësuar Milanin, Juventusin dhe Interin, si dhe disa lojtarë që mund të jenë vendimtarë.
Sipas Capello-s, Milani ka avantazh falë mungesës së angazhimeve të tjera: "Mungesa e detyrimeve të tjera e ndihmon shumë Milanin, pasi ka dalë edhe nga Kupa e Italisë.
Pres që Allegri të rregullojë problemet me skuadrat më të vogla, duke përfituar edhe nga kalendari më i lehtë. Nuk duhet nënvlerësuar se herë pas here kupat të marrin entuziazmin ose lënë pasoja negative".
Për Juventusin, Capello shprehet optimist: "Rruga është kaq e gjatë saqë nga tani deri në maj Juventus mund të luajë me shanset e tij për titullin. Gjë që më bën të mendoj pozitivisht është se bardhezinjtë kanë krahë të jashtëzakonshëm".
Në analizën e tij për Interin, Capello shton: "Inter ka më shumë cilësi se të gjithë në mesfushë dhe sulm, por problemet mund të jenë në shpërndarjen e golave. Shpesh arrijnë rezultate të mëdha, por më pas herë pas here e humbasin fokusin. Zëvendësimi i Diouf për Lautaron në Bergamo nuk më ka pëlqyer".
Capello ka përmendur edhe disa lojtarë që mund të jenë vendimtarë: "Lautaro është i mësuar me golat e rëndësishëm, por po më bën përshtypje Hojlund. Ferguson te Roma po jep sinjale pozitive. Më pëlqeu lëvizja e Allegrit me Nkunku-në te penalltia ndaj Veronës.
Openda dhe David duken pak të rezervuar, ndërsa rikthimi i Vlahovic-it për Spalletti-n do të jetë vendimtar. Lukaku është garanci, por tani ka edhe Hojlund".