Kurti tregon nëse punëtorët e sektorit publik do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit

- Gazeta e Prizrenit

Kurti tregon nëse punëtorët e sektorit publik do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit

Punëtorët e administratës publike në Kosovë do të marrin pagën e 13-të në fillim të vitit 2026, ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.

Ai ka sqaruar se vendimi për buxhetin e vitit të ardhshëm, që përfshin edhe këtë pagesë, do të dërgohet për miratim në mbledhjen e parë të Qeverisë së re.

“Për të gjithë punëtorët e administratës publike me ligjin e buxhetit për vitin 2026-të, të cilin e kaluam njëherë në mbledhjen e Qeverisë më 31 tetor sivjet, pra të cilin tash në legjislaturën e 10 kur të konstituohet Kuvendi do ta kalojmë në dy lexime,” tha Kurti.

Ai shtoi se paga e 13-të nuk do të ndahet në fund të vitit, por në fillim të vitit të ardhshëm:

“Kam thënë që me këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të; kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga, por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër”.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se shpërndarja e saj do të bëhet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re:

“Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstituohet Kuvendi dhe sa shpejt e formojmë Qeverinë. Pra në mbledhjen e parë, përveç vendimit për ligjin për buxhetin 2026, gjithashtu do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të e jep në fillim të vitit, do t’i kemi edhe tri të tjera”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lidhjen me fushatën zgjedhore, Kurti theksoi: “Por, mos ta përsëris veten nga fushata pra zgjedhjeve sepse ato përfunduan të dielën”.



Read it all at Gazeta e Prizrenit