Si u fut agjenti Kim Filbi në Shqipëri? Dëshmia e ish-oficerit: Informacionet që i dha Stalinit në 1949!

- Bota Sot

Si u fut agjenti Kim Filbi në Shqipëri? Dëshmia e ish-oficerit: Informacionet që i dha Stalinit në 1949!

Në historinë e “Luftës së Ftohtë” shqiptare ka ende zona gri, ku faktet, interpretimet dhe mitet përzihen mes tyre. Një nga figurat më të përfolura të kësaj historie është agjenti legjendar britanik Kim Filbi, emri i të cilit lidhet zakonisht me tradhtinë ndaj MI-6 dhe shërbimin për KGB-në, por shumë më rrallë me Shqipërinë. A ka qenë realisht Kim Filbi në vendin tonë? Çfarë roli ka pasur ai në operacionet e desantimeve dhe sa peshë kanë pasur informacionet e tij në dështimin e tyre?

Pikërisht këto pyetje, dhe shumë të tjera që sfidojnë versionet e njohura, i trajton në këtë intervistë për gazetën Panorama Vladimir Bregu, ish-oficeri i shërbimit sekret, një njohës i mekanizmave të shërbimeve sekrete dhe i arkivave historike. Në një rrëfim që lëviz mes dokumenteve të deklasifikuara, përvojës profesionale dhe kritikës ndaj pasaktësive historike, Bregu ndalet te prania e Kim Filbit në Shqipëri, marrëdhëniet reale mes Sigurimit të Shtetit dhe këshilltarëve sovjetikë, si dhe te episodat e pazakonta ku armiku dhe ndjekësi ndanin të njëjtën tryezë.

Ad 

Gold CFDs vs Futures: Which Suits Your Trading Style?IC Markets

Trade Forex with Ultra-Low SpreadsIC Markets

Z.Bregu, ju keni folur më herët për dy personazhe, agjentin sovjetik Kim Filbi dhe sundimtarin shqiptar Ali Pashë Tepelena. Cfarë faktesh dini ju lidhur me këto dy figura…?

Shkrimtari i famshëm Ernest Heminguej, si me shaka, ka thënë: “Një gënjeshtër e madhe, shpesh është më e pranueshme se një e vërtetë”. Dhe unë, duke qenë se kam lexuar shumë libra dhe artikuj për të dy këta personazhe, me autorët e të cilëve nuk jam dakord, mendova që të flisja…

Ju jeni shprehur që Kim Filbi ka qenë edhe në vendin tonë. Çfarë lidhje ka kjo me veprimtarin e Kim Filbit në ndihmë të Shqipërisë?

Është fakt që Kim Filbi ka qenë në Shqipëri, në vitin 1932, kjo është e shkruar, por kjo nuk ka të bëjë me veprimtarinë e tij si zbulues ose punonjës i MI-6. Ky fakt në vetvete, nuk ka të bëjë me punën e tij për informacionet lidhur me bandat që hidheshin në vendin tonë. Lexuesit dhe shikuesit ndahen në disa kategori: ka nga ata që duan të shohin ose lexojnë vetëm ngjarje dhe fakte, ka të tjerë që shtyhen vetëm nga kurioziteti, por ka edhe disa që merren me këto punë, por pavarësisht se ky fakt nuk ka të bëjë me veprimtarinë e Filbit, ata persona duhet t’i dinë edhe këto, pasi në të ardhmen mund të shkruhet përsëri për Kim Filbin.

Nëse shërbimet sovjetike e kanë filluar aktivitetin kundër Shqipërisë qysh në vitin 1945 deri më 1951, këtë fakt e dinte vetëm Stalini me Enver Hoxhën?

Sigurisht që Stalini e dinte, ndërsa Enveri nuk ka ditur asgjë lidhur me veprimtarinë që ata zhvillonin. Zbulimi sovjetik ka organizuar punën e tij ndaj të gjitha shteteve ish socialiste, me përjashtim të Jugosllavisë. Ka dokumente se kur e kanë ndërprerë ndaj Jugosllavisë, më përpara pasi Stalini ka pasur besim te Titoja. Por më vonë, pasi u prishën, në Jugosllavi janë arrestuar dhe dënuar disa udhëheqës jugosllav që punonin për zbulimin sovjetik.

Që të organizosh punën agjenturore ndaj një shteti, edhe pse konsideroheshin miq, nuk janë vetëm informacionet zyrtare të ish ambasadorëve, sekretarëve, konsujve etj., por të dhënat janë grumbulluar nga agjentët e fshehtë që informacionet i shkonin vetëm shërbimit sekret sovjetik dhe jo organeve të tjera. Në vendin tonë janë botuar dokumente të ndryshme lidhur me takimet e udhëheqësve tanë me sovjetikët, por ato informacione kanë qenë në linjë partie dhe jo të shërbimeve sekrete. Kjo praktikë ndiqet nga të gjitha shërbime sekrete në botë edhe sot. Të gjitha shërbimet sekrete, edhe sot grumbullojnë informacione për udhëheqësit e shteteve të tjera për të cilët kanë interes. Para disa vjetësh ishte skandali me përgjimin e telefonit të punës së Angela Merkelit nga amerikanët.

Dhe ju besoni se i është përgjuar vetëm telefoni? Në Gjermani pati edhe një skandal tjetër, që një punonjës i zbulimit gjerman ishte rekrutuar nga amerikanët, por ky problem u mbyll pa zhurmë. Thashë që ndërmjet shërbimeve sekrete nuk ka miq por vetëm partnerë. P. sh. në SHBA u dënua një oficer i marinës, sepse ishte vënë në shërbim të zbulimit izraelit. Nëse nuk gabohem, ai u dënua 35 vjet dhe nuk u lirua para kohe ose me kusht, megjithëse kryeministrat izraelitë vazhdimisht në takime me presidentët amerikanë u kërkonin që ta lironin. Ose është rasti i një oficeri britanik, që ka vdekur para pak kohësh, Riçard Tomlinson. Ai u dënua nga britanikët, pastaj e nxorën dhe shkoi në shtete të ndryshme si në Gjermani, Francë etj, por kudo që shkoi shërbimet sekrete të atyre vendeve e arrestonin dhe pyetja më kryesore ishte: “Çfarë veprimtarie keni zhvilluar ndaj vendit tonë?”, pra çfarë veprimtarie kishte kryer zbulimi britanik ndaj këtyre shteteve që ishin dhe aleatë.

Prania e Kim Filbit, a nuk ia ul vlerat Sigurimit të Shtetit të cilin e ka vlerësuar edhe ish kryeministri i Anglisë Toni Bler?

E kam lexuar atë që ka thënë ish kryeministri britanik. Edhe një autor perëndimor shkruan se pavarësisht nga informacionet e Kim Filbit, përsëri ato operacione desantimi shpejt ose vonë do të dështonin. Punën në terren brenda vendit e organizonte sigurimi shqiptar, sigurisht i ndihmuar nga këshilltarët sovjetikë, por fakt është që në rrethin e diversantëve që hidheshin në vendin tonë, sigurimi kishte rekrutuar bashkëpunëtorë. Pra dhe puna e Sigurimit ka qenë në lartësinë e duhur dhe i është përgjigjur situatave konkrete.

Pse shumë autorë librash e kanë shkruar historinë e Sigurimit të Shtetit sikur ai nuk ndihmohej nga këshilltarët sovjetik?

Nuk mund të flas për ata që kanë shkruar kështu. E para, lidhur me shërbimet sekrete kanë shkruar shumë vetë, edhe nga ata që nuk i njohin fare sesi punojnë shërbimet. Pse e them këtë? Kam parë një emision te Neës 24, dikur nga fillimet e tij, ku ishte i ftuar një person emri i të cilit nuk më kujtohet. Ai mburrej se kishte lexuar Platformën e Sigurimit dhe tha se më i rëndësishmi nga të gjitha kategoritë e bashkëpunëtorëve ishte “strehuesi”. Duhet sqaruar se Platforma nuk ishte e Sigurimit, por ishte Platforma e Organeve të Punëve të Brendshme, ku përfshihej Sigurimi, Policia dhe Kufiri. Kategoria e “strehuesit” ishte e fundit në radhë. Unë mendoj se secili duhet të shkruajë për profesionin që ka dhe të mos hyjë në profesionet e të tjerëve.

Ju përmendët një rast me këshilltarin sovjetik lidhur me avionin që hidhte fletushka dhe u godit nga artilieria jonë. Po a ka raste të tjera?

Ka edhe raste të tjera por nuk do t’i përmend, sepse thashë që ka episode që nuk janë shkruar por tani nuk dua t’i bëj publike. Do të përmend vetëm një rast që nuk ka të bëjë me punën e organizuar, por vetëm me marrëdhëniet e Grupit Special me diversantët e kapur. Në kohën e radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, marrëdhëniet e Grupit me Zenel Shehun, kanë qenë më shumë se të mira. Në rastet kur Grupi shkonte në rrethet e Dibrës dhe Burrelit për të bërë transmetimet, asnjeri prej tyre nuk dinte të gatuante dhe këtë detyrë e kishte marrë përsipër Zenel Shehu. Pra besimi reciprok ishte shumë i madh. Vetë diversantët kanë thënë se kudo që ne zbrisnim na prisnin forcat e sigurimit. Kjo do të thotë që sigurimi kishte informacione.

Ju keni thënë se nuk e keni lexuar librin e I. Koçollarit, Operacionet speciale. Shqipëria në luftën e ftohtë. Ndoshta aty mund të ketë informacione me interes për këtë punë?

Nuk e kisha lexuar, por pas emisionit, një miku im ma dha për ta lexuar. Nuk do të flas për radiolojat, pasi edhe për ato di disa episode me këshilltarin sovjetik. Por në këtë libër pashë se ka edhe pasaktësi në faktet historike. Pashë edhe videon për promovimin e këtij libri. Në promovim autori thotë se “127 informacione që gjithësej Kim Filbi i ka dhënë KGB-së, ka vetëm një për Shqipërinë dhe këtë e dërgon në dhjetor 1949”. Kim Filbi ka dhënë vetëm një informacion që i është dërguar Stalinit në dhjetor 1949. E vërteta nuk është kështu. Ne flasim vetëm për materialet e KGB që janë deklasifikuar, sepse të tjerat nuk i njohim. Kim Filbi materialin e ka dhënë që në shtator 1949, edhe ky ndodhet në këtë libër të botuar, ku jep edhe datat e zbarkimit. Materiali që thotë autori se i është dërguar Stalinit në dhjetor 1949, nuk është informacion, por një përmbledhje e informacioneve më të rëndësishme të vitit 1949. Informacioni që ka dhënë Filbi është i shtatorit ku përveç të tjerave shkruhet: “…Natën e 18 shtatorit të këtij viti dy grupet e para, me nga pesë veta secili, u hodhën në territorin e Shqipërisë. Hedhja e dy grupeve të tjera është caktuar për natën e 24 shtatorit. Po bëhet përgatitja edhe e disa grupeve të tjera, të cilët, ndoshta, do të dërgohen në Shqipëri këtë vit”.

Pra, siç shihet Kim Filbi i ka dhënë me data dhe me sa veta ishin grupet, se do të hidhen edhe më datë 24 si dhe po përgatiten grupe të tjera që ndoshta do të dërgohen në Shqipëri këtë vit. Këtu duhet të kemi parasysh se datën e saktë se kur ka njoftuar Kim Filbi asnjë nuk e di, por aty jepet data kur informacioni i është dërguar Stalinit. Problem tjetër në atë libër është edhe ai i pranisë së këshilltarëve sovjetikë, ku ai shkruan se “…Pra ky informacion [marrë nga libri për materialet e Vasilij Mitrohin – V. B.] konfirmon edhe një herë atë fakt që përmendëm më sipër, se pas çlirimit dhe deri aty nga vitet 1954, Shërbimi sekret shqiptar nuk kishte marrëdhënie dhe aq më pak bashkëpunim me KGB”. Po them se lista me emrat e këshilltarëve sovjetikë deri në vitin 1952 janë të botuara, por vetë autori në libër, kur jep dokumentin thotë se materiali iu kalua këshilltarit sovjetik Gllazkov. Pra në vitin 1949 del se ka pasur këshilltarë sovjetikë pranë Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm.

Kim Filbi në kujtimet e tij shkruan se është takuar me Abaz Kupin dhe Hasan Dostin, për të cilët jep dhe vlerësimet e tij. Ju mendoni se për këta Filbi nuk ka informuar Moskën?

Thashë se në librin “Operacionet speciale. Shqipëria në luftën e ftohtë” ka pasaktësi dhe në faktet historike. Aty shkruhet se “…më datë 26 gusht 1950 Ëinston Çërçill priti në një takim Rusveltin e sëmurë në “10 Doëning Street” dhe në bisedë ndër të tjera, duke iu referuar operacioneve që porsa kishin filluar kundër Shqipërisë, i tha: “Nëse këto operacione do t’ja dalin të realizojnë qëllimet e tyre, pa më të voglin dyshim, ato do të jenë më të suksesshmet e pas Luftës së Dytë Botërore”. Ky paragraf jepet se është marrë nga libri i autorit Astrit Lulushi. Kjo gjë nuk ka asnjë mundësi qoftë dhe hipotetike që të ketë ndodhur. E para Ruzvelti kishte vdekur që në vitin 1945, dy javë para se të përfundonte Lufta e Dytë botërore, ndërsa Çurçilli në atë kohë nuk ishte kryeministër. Si është bërë takimi në vitin 1950? Mendoj se një historian, edhe kur citon autorë të tjerë, duhet të jetë edhe analizues e të verë në dukje citimet që nuk i përgjigjen realitetit.

Gjithashtu në libër shkruhet se: “Ndërsa në vitet 1949 – 1950, profesionistët e kësaj strukture [pra të zbulimit – V. B.] kishin ngritur një punë mjaft të mirë në disa vende, pranë Legatave shqiptare në Romë, Paris, Stamboll, Vjenë, Kajro e Beograd”. Edhe ky fakt nuk i përgjigjet realitetit.

Zbulimi ynë mund të ketë pasur bashkëpunëtorë të mirë në këto vende, por nuk e besoj se ka pasur në të gjitha këto, por në atë kohë ne nuk kemi pasur përfaqësi diplomatike përveç se në Paris. Këtë e them pasi me Austrinë janë rivendosur në vitin 1956, pasi Austria ishte nën kontrollin e Fuqive të Mëdha, Amerikë, BS; me Egjiptin më 19 prill 1956, me Italinë më 2 maj 1949 u nënshkrua marrëveshja dhe deri në fund të vitit do të përfundonin detajet për numrin, godinën etj, me Turqinë u rihapën më 1958. Mund të flitet për zbulues, por jo për ambasada.

A ishte e vërtetë që Sigurimi Shtetit ishte një organizatë kaq e aftë sa të luftonte me CIA-n dhe KGB-ën apo me Inteligjenc Servisin e Britanisë?

E thashë, ne kemi pasur ndihmën e sovjetikëve deri sa janë prishur marrëdhëniet. Pastaj kemi punuar të vetëm. Nuk duhet ta ngatërrojmë historinë me politikën. Politika e sotme nesër do të konsiderohet histori dhe nuk është mirë që të fshihen epokat ose të shtrembërohen. Dhe në vitet 1945 – 1946 ka pasur disa operacione të mira në drejtim të anglezëve dhe amerikanëve, por nuk dua të flas.

Kominterni dhe emrat që ju i keni përmendur, a nuk janë pjesë e veprimtarisë agjenturore në rang botëror?

Unë thashë që kam një libër që flet për veprimtarinë e Kominternit në botë, ku ka dhe pak për vendin tonë. Emrat që përmenden atje nuk do të thotë se kanë qenë rekrutuar nga zbulimi sovjetik. Këtu fjala është që për këta persona ka dosje në arkivin e Kominternit, ku janë më shumë se 55 milionë dokumente. Se çfarë materiale ka në dosjet e tyre, nuk dihet sepse ato janë me pagesë dhe se me materialet e tyre nuk duhet që personave konkret t’u bëhet presion. Materiale të veçanta, të botuara edhe në libra të tjerë, unë kam gjetur ku flitet për shqiptarë, edhe me emra. Aty në listë ka dhe persona që kanë lindur pas shkrirjes së Kominternit në vitin 1943, por e përmenda më lart për të venë në dukje se shërbimet sekrete grumbullojnë informacione për të gjithë perosnalitetet shtetërore dhe publike të vendeve të tjera.



Read it all at Bota Sot