Nuk kanë fund debatet rreth Ramadanit, trajneri pezullohet

- Bota Sot

Nuk kanë fund debatet rreth Ramadanit, trajneri pezullohet

Ndeshja a fundit e vitit 2025 për skuadrën e Lecces, humbja përballë Comos, është shoqëruar me polemika të shumta, që kanë lidhje sidomos me një situatë që kishte protagonist mesfushorin Ylber Ramadani.

Autori i golit të parë të Comos, Niko Paz, goditi mesfushorin gjatë aksionit që çoi më pas në rrjetën e tundur për miqtë në sfidën e mbyllur me shifrat 3:0.

Një episod për të cilin lojtarët e Lecces protestuan ashpër dhe për të cilin trajneri Euzebio Di Françesko u ndëshkua me karton të kuq.

Situata në fjalë ka përfunduar nën lupën e ekspertëve të emisionit “Pressing” në “Canale 5”, ku ish-gjyqtari i njohur italian Graciano Çezari dhe gazetari Rikardo Trevisani janë përplasur rreth saj.

“Te Leçe janë shumë të inatosur, duke çuar edhe në përjashtimin e trajnerit Di Françesko. Ndodh që Niko Paz, autori i golit të parë, i jep këtë goditje Ramadanit dhe padyshim e godet në mjekër, për këtë nuk ka dyshime. VAR-i në këtë rast nuk mund të ndërhyjë pasi gjyqtari gjykon intensitetin e saj. Unë ndjej të them se është pak për të anuluar një gol”, theksoi Çezari.

Por Trevisani ishte i një mendimi krejtësisht të kundërt.  

“Nuk jam dakord, e godet në mjekër dhe është një faull i cili në fushat e futbollit vërshëllehet në 97% të rasteve.

Ramadani është më shtatshkurtër dhe e pëson goditjen, fakti që nuk dëshiron të vërshëllejë është për të mos komplikuar jetën e tij, pasi Niko Paz po të donte ta mbante larg e mbante krahun më të ulur. Leçes i kanë anuluar një gol absurd me Lacion për një dorë të mbështetur në gjoks”, tha ai.

E ndërsa polemikat rreth episodit vazhdojnë, komisionet disiplinore të Federatës Italiane kanë dhënë një dënim të rëndë për trajnerin Di Françesko, duke e pezulluar për dy takime.  Kësisoj, ai do të humbasë ndeshjet e radhës kundër Juventusit dhe Romës.



Read it all at Bota Sot