Tirana piketon futbollistin e Shkëndijës

- Bota Sot

Tirana piketon futbollistin e Shkëndijës

Mesfushori i Shkëndijas, Florent Ramadani, ka hyrë në orbitën e dy klubeve të njohura të rajonit, Tiranës dhe Rabotniçkit, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të tij gjatë merkatos së janarit.

Burime të “Sportmania”-s bëjnë të ditur se 25-vjeçari është kontaktuar nga kampi i Rabotniçkit, ku trajneri i ri Muarem Muarem e sheh Ramadanin si një pjesë kyçe të projektit të tij. “Romantikët” janë të gatshëm t’i besojnë rolin e mesfushorit ofensiv, madje duke e projektuar si organizator kryesor të lojës, menjëherë pas sulmuesit, me idenë që t’i jepet edhe fanella me numrin “10”.

Megjithatë, sipas informacioneve të mëdiave në Maqedoninë e Veriut, Ramadani deri tani nuk ka hyrë në bisedime të avancuara, duke shprehur dëshirën për të vazhduar qëndrimin te Shkëndija, të paktën në këtë fazë.

Ndërkohë, në garë është futur edhe Tirana. Klubi bardheblu, tashmë nën drejtimin e trajnerit Ardian Nuhiu, ka një avantazh në njohjen e mëparshme me lojtarin, nga bashkëpunimi i tyre i kaluar te Shkëndija. Edhe bardheblutë e shohin Ramadanin si një element të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës së re, por deri më tani nuk ka pasur një përgjigje konkrete nga lojtari.

Mbetet të shihet se si do të zhvillohen gjërat në ditët në vijim të merkatos së janarit, nëse Florent Ramadani do të vazhdojë aventurën me Shkëndijën apo do të vendosë për një ndryshim ambienti.

Në këtë edicion, 25-vjeçari numëron 11 paraqitje në kampionat me Shkëndijan, ku ka shënuar 2 gola si dhe ka dhënë 1 asist. Gjithashtu ai është aktivizuar 9 ndeshje në arenën europiane dhe 1 në Kupë.



Read it all at Bota Sot