Një mjet piroteknik e hedhur gjatë festimeve të Vitit të Ri dyshohet të ketë qenë shkaku i zjarrit shkatërrues që përfshiu një bar në qendrën e njohur të skijimit Crans-Montana në Zvicër, ku dhjetëra persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, duke theksuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se nuk ka ende konfirmim zyrtar për shkaqet përfundimtare të tragjedisë, raporton skynews.
“Bëhet fjalë për një zjarr të rëndë, i cili mund të jetë shkaktuar nga një mjet piroteknik, ndoshta një petardë e hedhur gjatë festimeve të natës së ndërrimit të moteve”, tha ai.
Dëshmitarët përshkruajnë skenat tronditëse pas shpërthimit që la disa të vdekur në vendpushimin e njohur të skive në Zvicër
Sipas tij, autoritetet italiane janë në kontakt të vazhdueshëm me palën zvicerane, ndërsa ambasadori italian është nisur drejt vendit të ngjarjes. Po ashtu, konsullata italiane ka ngritur një shtab krize për të verifikuar nëse mes viktimave apo të lënduarve ka shtetas italianë.
Mediat raportojnë se zjarri shpërtheu në një bar ku po mbahej një koncert dhe ku ndodheshin shumë persona, gjë që e përkeqësoi situatën dhe vështirësoi evakuimin.
Ministria italiane e Jashtme ka përmendur shifra jozyrtare prej rreth 40 viktimash, por autoritetet zvicerane ende nuk kanë dhënë një numër të saktë, duke theksuar se bilanci mund të jetë “disa dhjetëra”.
Autoritetet lokale zvicerane kanë nisur hetime të detajuara për të zbardhur shkaqet e plota të zjarrit, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë punën për identifikimin e viktimave dhe ndihmën për të plagosurit. Tragjedia ka tronditur opinionin publik dhe ka hedhur hije mbi festimet e Vitit të Ri në këtë zonë turistike.