Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten se pret që pikat kryesore të marrëveshjes mes Naftës Industrisë së Serbisë (NIS) dhe blerësit, kompanisë hungareze MOL, të përfundojnë deri më 23 janar.
Ai tha për Radio-Televizionin e Serbisë (RTS) se grupi MOL do të jetë partneri i ri i NIS-it.
“MOL, së bashku me NIS-in dhe shtetin e Serbisë, ka punuar edhe mbi një letër për OFAC-un dhe për sigurimin e një licence operative për furnizimin shtesë me naftë të papërpunuar. Besoj se nëse shkojmë me këto çështje para OFAC-ut dhe ai do ta aprovojë atë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nëse nuk jepet miratimi nga Shtetet e Bashkuara, NIS-it do t’i hiqet sërish licenca për punë.
Zyra për Kontrollin e Pronës së Huaj (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit nisi më 9 tetor zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it për shkak të pjesëmarrjes së kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft, me qëllim, siç njoftoi Uashingtoni, parandalimin që Rusia të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.
Kushti i SHBA-së për heqjen e NIS-it nga lista e sanksioneve ishte largimi i kompanive ruse nga pronësia.
Hisedarët në NIS janë: kompania shtetërore Gazprom, filiali i saj Gazprom Neft dhe aksionarët nga Sankt Peterburgu zotërojnë 56.15% të aksioneve, Serbia 29.87%, ndërsa pak më pak se 14% është në pronësi të aksionarëve më të vegjël.
Për shkak të embargos dhe pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll Rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi dhe objekti më i rëndësishëm i NIS-it.
Më 1 janar, NIS njoftoi se Departamenti amerikan i Thesarit i kishte dhënë kompanisë një licencë të veçantë që i lejon NIS-it të rifillojë aktivitetet operative deri më 23 janar.
“Licenca lejon rifillimin e përpunimit të naftës në rafineri, importimin e naftës së papërpunuar dhe kryerjen e transaksioneve të nevojshme për sigurimin e furnizimit dhe mirëmbajtjen teknike”, njoftoi NIS-i.
Vuçiq tha për RTS-në se më 5 janar NIS mund të paguajë 85.000 tonë naftë të magazinuar në Omish, Kroaci, dhe të sjellë menjëherë në Serbi, si dhe të porosisë një tanker me 140.000 tonë.
Ai shtoi se ndërkohë në Serbi janë prodhuar 100.000 tonë, dhe se Rafineria e Pançevës mund të punojë me kapacitet të plotë nga 20 janari.
Me fillimin e sanksioneve amerikane u ndal transporti përmes tubacionit të JANAF-it nga Omish nga Kroacia për në Pançevë, pasi NIS-i e importonte naftën nga Kroacia me anë të transportit detar. Më 1 janar, JANAF njoftoi se OFAC-u i kishte dhënë licencë kompanisë për të vazhduar transportin e naftës joruse deri më 23 janar.
Nafta Industrisë së Serbisë iu shit Gazprom-it më janar 2008, në kuadër të marrëveshjes ndërqeveritare ruso-serbe për bashkëpunim në sektorin e naftës dhe gazit, për 400 milionë euro.
Deri tani nuk ka pasur informacione zyrtare mbi vlerën aktuale të pjesës ruse të NIS-it.
Serbia është e varur nga Moska në aspektin e energjisë, pasi NIS-i furnizon 80% të tregut vendas me derivatet e naftës. Gjithashtu, 80% të gazit natyror për qytetarët dhe bizneset, Serbia e blen nga Rusia.
Beogradi dhe Moska kanë marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake.
Serbia është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) që nga 2012, por nuk i është bashkuar sanksioneve të Brukselit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. / REL