Juventusi ka hequr dorë në merkaton e janarit nga afrimet e bujshme dhe raportohet se nuk do të bëjë lëvizje të ekzagjeruara, edhe për çështje bilancesh financiare.
Por gjithsesi, bardhezinjtë janë në kërkim të alternativave për futbollistët që kanë, me një ide të qartë në kokë, atë të kërkimit të një alternative për Kenan Jilldiz.
Trajneri Spaleti dëshiron një lojtar me të cilin turku të ketë mundësi herë pas here të bëjë stafetë dhe të marrë frymë më i qetë, pasi numri 10 është ai i cili po aktivizohet më shumë në repartin e avancuar në këtë pikë të sezonit, edhe në role që nuk janë të tijat.
Alternativa që po shqyrtohet më me vëmendje është Daniel Maldini. Sulmuesi u transferua te Atalanta por nuk po gjen minutat që shpresonte, duke mbetur shpesh larg fushave të lojës që nga momenti kur drejtimin e mori Rafaele Paldino. Ndaj klubi bergamask është gati t’i hapë dyert largimit të tij në janar, me formulën e huazimit apo edhe të shitjes përfundimtare.
Problemi i Juventusit është se Maldinin e kërkon edhe Kaljari, i cili i ofron sulmuesit më shumë minuta në dispozicion se sa te bardhezinjtë, ku do të ishte thuajse gjithmonë alternativë e dytë pas Jilldiz.