Klubi i Vllaznisë e ka mbyllur vitin 2025 me telashe financiare, që kanë sjellë bllokime të njëpasnjëshme të merkatos nga e ana e FIFA-s për moshlyerje të detyrimeve nga kuqeblutë ndaj ish-futbollistëve.
Por viti 2026 mund të nisë me pak më shumë buzëqeshje të shkodranët, të cilët kanë marrë një ndihmë të rëndësishme nga FSHF.
Kjo e fundit ka vendosur që të shpërndajë fonde për klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë, për t’i ndihmuar me “likuiditetin dhe planifikimin për pjesën e dytë të sezonit”, siç shkruhej një njoftimin e institucionit të futbollit që ka vendosur të shpërndajë 3 milionë euro në vitin 2026.
Dhe këto para nga FSHF, klubi i Vllaznisë pritet t’i shpenzojë për të shlyer detyrimet që kanë sjellë bllokimin e merkatos nga FIFA, në mënyrë që të ketë mundësinë të afrojë lojtarë gjatë janarit për të përforcuar grupin aktual apo për të mbuluar boshllëqe që mund të lindin nga largime të mundshme.
Përveç të tjerave, shlyerja e këtyre detyrimeve të prapambetura është prioritet në fazën e sigurimit të licencës për të marrë pjesë në aktivitetet e UEFA-s, e cila i ka dhënë theks të madh kësaj pike në komponentin financiar te manualit te licencimit.
Aktualisht Vllaznia ka 4 gjyqe të humbura në FIFA ndaj ish-lojtarëve të cilëve u detyrohet pagesa të prapambetura dhe pa shlyerjen e tyre, rrezikon që të humbasë të drejtën të marrë pjesë në kompeticionet evropiane në verën e këtij viti, që do të kishte një kosto të rëndë financiare dhe për imazhin e kuqebluve.