FC Vushtrria bëhet gati për stinorin pranveror, e bindur se do rikthehet në Superligë

- Bota Sot

FC Vushtrria bëhet gati për stinorin pranveror, e bindur se do rikthehet në Superligë

Skuadra e Vushtrrisë po përgatitet për pjesën e dytë të kampionatit të Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Kampioni vjeshtor ka një rrugë të vështirë përpara, por e bindur se do rikthehet në Superligë.

Vushtrria është në krye me 40 pikë, por jo larg skuadrave që pretendojnë kreun.

Feronikeli 74 është në vend të dytë me 39 pikë, pasojnë Dinamo 37, Trepça 89 36, Liria 36, Vëllaznimi 34 pikë etj.

“Stabilitet, vizion dhe rikthim i madh: FC Vushtrria në rrugën e Superligës!

Përkushtimi serioz dhe puna e palodhshme e bordit të ri drejtues kanë dhënë rezultate të menjëhershme: FC Vushtrria është shpallur kampion vjeshtor në Ligën e Parë, me synim dhe objektiv të qartë – rikthimin aty ku e ka vendin, në Superligë. Ky sukses nuk është rastësi, por produkt i një qasjeje të re, të përgjegjshme dhe vizionare në menaxhimin e klubit.

Që nga 1 tetori 2025, FC Vushtrria ka hyrë në një kapitull të ri zhvillimi. Marrja e udhëheqjes nga bordi i ri ka sjellë ndryshime konkrete dhe të prekshme, duke rikthyer stabilitetin e shumëpritur dhe besimin brenda klubit dhe te tifozët.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi ka qenë korrektësia financiare. Lojtarët kanë marrë rregullisht obligimet e tyre që nga 1 tetori kur në krye të klubit erdhi bordi i ri menaxhues, deri më tani katër paga, çka flet qartë për seriozitetin dhe përgjegjësinë e udhëheqjes së re. Kjo ka reflektuar drejtpërdrejt në fushë: më shumë motivim, më shumë disiplinë dhe një ekip që luan me besim e karakter.

Sot, në FC Vushtrria mbizotëron një frymë pozitive pune dhe ambicie. Klubi është në rrugën e duhur për t’u ndërtuar si një skuadër e fortë, stabile dhe konkurruese, jo vetëm për këtë sezon, por për të ardhmen.

Në funksion të përgatitjeve për pjesën vendimtare të sezonit, nga gjysma e muajit janar skuadra do të udhëtojë për një fazë dyjavore përgatitore në Antalya të Turqisë.

Ky kamp stërvitor do të shërbejë për ngritje fizike e taktike, duke e përgatitur ekipin për sfidat që e presin në rrugën drejt objektivit madhor.

Po ashtu, FC Vushtrria do të prezantojë së shpejti përforcimet e reja, të cilat pritet të sjellin edhe më shumë stabilitet dhe cilësi në fushë, duke e bërë skuadrën edhe më të fortë në garën për promovim.

FC Vushtrria po ecën me hapa të sigurt. Me stabilitet, vizion dhe unitet, rikthimi në Superligë nuk është më vetëm dëshirë – është një objektiv real dhe i arritshëm”, shkruan në faqen e klubit.



Read it all at Bota Sot