Ernest Muçi e ka pasur shumë të vështirë të përshtatet në klubin e Beshiktashit dhe me largimin nga skuadra e qyteti të Stambollit, është kthyer përsëri të shkëlqejë në kampionat, siç e ka treguar me golat dhe asistet në radhët e Trabzonsporit.
Dhe sigurisht dëshira e sulmuesit shqiptar për t’u kthyer do të zbehet edhe më shumë pasi ka mësuar bëmat e fundit të klubit që zotëron kartonin e tij.
Në mediat turke është bërë publike përplasja e hapur e Beshiktashit me portugezin Rafa Silva. Ky i fundit, ndonëse ishte kthyer në yllin e skuadrës në edicionin e kaluar me 18 gola e 12 asiste, tashmë e sheh veten jashtë projektit që ka klubi me trajnerin Sergen Jalçin.
Beshiktashi po bën të pamundurën që të prishë kontratën e tij dhe në mediat turke janë zbuluar detaje të mënyrës se si po trajton futbollistin 32-vjeçar me kërkesa nga më absurdet. Një prej tyre ishte kërkesa që ai të stërvitej në orën 4 të mëngjesit, si pjesë të regjimit të ri stërvitor për ta kthyer në formë
Një kërkesë që lojtari e ka refuzuar dhe i është drejtuar FIFA-s, ndërsa edhe pala turke e akuzon për prishje të kushteve kontraktuale pasi nuk zbaton vendimet e stafit teknik.
Situata do të shqyrtohet nag ndërkombëtarët, por për momentin Beshiktashi ka ndërmarrë hapin e radhës duke e përjashtuar atë nga lista e fazës përgatitore për pjesën e dytë të sezonit.