Klubi i Beshiktash po përballet me kritikat e tifozëve të vet për mënyrën se si po vepron në merkato, duke i dhuruar lojtarë cilësorë kundërshtarëve direkt.
Huazimi i Ernest Muçit të Trabzonspor dhe shpërthimi i sulmuesit shqiptar në klubin e ri, ka inatosur tifozët e Beshiktash, të cilët mendojnë se ai mund të kishte bërë mirë edhe në radhët e tyre, pa harruar faktin se është përforcuar një rival direkt në renditje.
Ndërkohë, për ta ka ardhur edhe një tjetër goditje këto ditë, pasi portieri Mert Gynok, është lënë i lirë t’i bashkohet Fenerbahçes.
Gynok ka qenë edhe kapiten i Beshiktashit, por këtë vit është nxjerrë jashtë planeve e kësisoj erdhi largimi i tij dhe transferimi te Fenerbahçe, nga akademia e të cilit ka dalë portieri veteran.
Një lëvizje që ka sjellë protesta të shumta në rrjetet sociale dhe ka bërë që tifozët të kritikojnë ashpër klubin për veprime të pamenduara duke larguar falas lojtarë cilësorë.