Klubi futbollit Besa e Pejës ka punë të madhe në stinorin pranveror në luftë për të siguruar ekzistencën në Ligën e Parë të Kosovës.
Pejanët kanë pasur një vjeshtë të zymtë duke përfunduar në fund të tabelës me 8 pikë (1 fitore, 5 barazime e 12 humbje) pas 18 javëve të zhvilluara.
Besa ka prezantuar përforcimin e ri nga Turqia.
Është fjala për portierin Oytun Ozdogan.
“Klubi i Futbollit FC Besa Peja ka kënaqësinë të prezantojë portierin e ri të skuadrës, Oytun Ozdogan, i cili ka nënshkruar zyrtarisht kontratë me klubin tonë.
Oytun Ozdogan është një portier me përvojë dhe formim të lartë profesional, i rritur në akademinë e njohur të Fenerbahçes në Turqi, ku ka qenë pjesë e saj nga viti 2014 deri në 2018.
Falë paraqitjeve dhe zhvillimit të vazhdueshëm, ai është promovuar në ekipin e parë të Fenerbahçes, ku ka qenë aktiv nga viti 2018 deri në 2022, duke fituar eksperiencë të çmuar në futbollin elitar.
Në Kosovë, Oytun ka qenë pjesë e Superligës, ku ka mbrojtur portën e FC Malisheva, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e klubit nga Suhareka, duke treguar stabilitet, siguri dhe profesionalizëm në çdo paraqitje.
Jemi të bindur se Oytun Ozdogan do të jetë një shtyllë e rëndësishme për skuadrën tonë dhe do të kontribuojë fuqishëm në arritjen e objektivave të klubit”, njofton FC Besa.