Duke shpresuar të përmbyllë karrierën e tij me një tjetër përvojë në futbollin evropian, Sergio Ramos po shqyrton opsionet si lojtar i lirë.
Sipas mediumin francez Footmercato.net, Paris FC ka shfaqur interes për të transferuar qendërmbrojtësin spanjoll.
Pa kontratë që nga përfundimi i aventurës së tij në Meksikë, Sergio Ramos (39 vjeç) ndodhet në një moment vendimtar të karrierës.
Ai zgjodhi të mos rinovojë kontratën me Monterrey dhe synon një rikthim në Evropë gjatë këtij afati kalimtar dimëror, çka ka nxitur disa spekulime në ditët e fundit.
Ish-lojtari i Sevillas dhe Real Madridit nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Francë, një kampionat që e njeh mirë nga periudha e tij te Paris Saint-Germain mes viteve 2021 dhe 2023. Edhe pse aventura e tij në Paris ishte e përzier, Ramos arriti ta mbyllë atë me paraqitje solide, duke rikthyer formën dhe stabilitetin. Në këtë kontekst, u përhapën edhe thashetheme për një transferim të mundshëm te Nice, por presidenti i klubit, Jean-Pierre Rivère, i mohoi ato publikisht.
Ndërkohë, një tjetër klub nga kryeqyteti francez po e ndjek nga afër situatën e legjendës së kombëtares spanjolle. Sipas Footmercato.net, Paris FC ka hedhur hapa konkretë për të analizuar mundësinë e afrimit të Ramosit, si pjesë e ambicies për të forcuar projektin sportiv dhe për të bërë një hap përpara në afatin dimëror.
Emri i Sergio Ramos është diskutuar brenda klubit si një figurë lidershipi, e aftë për të sjellë përvojë, autoritet dhe vëmendje mediatike, si dhe për të përforcuar mbrojtjen e ekipit parisien.
Megjithatë, pavarësisht interesimit, Ramos nuk duket i tunduar nga ky opsion, pasi preferon një klub me ambicie më të mëdha sportive. Për rrjedhojë, realizimi i këtij transferimi mbetet pak i mundshëm.