Në tribuna u shfaqën minjtë dhe u përjashtua një tifoz

- Bota Sot

Në tribuna u shfaqën minjtë dhe u përjashtua një tifoz

Derbi i zjarrtë i Katalonjës mes Espanjol dhe Barcelonës nuk zhgënjeu si zakonisht sa i përket atmosferës në tribuna.

Ndeshja e mbyllur me suksesin 2-0 të Barcelonës me gola në fund nga Olmo e Levandovski, dhuroi një atmosferë të zjarrtë të tifozëve vendas, që nuk kursyen kundërshtarët me koret e tyre.

I gjithë stadiumi ishte bërë gati të priste me vërshëllima portierin Joan Garcia, i cili në verën e kaluar braktisi Espanjolin për t’iu bashkuar Barcelonës, dhe “mikpritja” ndaj tij u duk qartë në minutën e 13, kur në tribuna u shfaqën “minjtë”.

Tifozët mbanin duar pankarta me minj të ngjyrosur me ngjyrat e Barcelonës, në një veprim që i drejtohej qartësisht Joan Garsias pasi këto pankarta u ngritën lart në minutën e 13, pikërisht si numri i fanellës që mban portieri. Për të kishte vërshëllima dhe ulërima sa herë që prekte topin gjatë të gjithë sfidës ku në fakt ai rezultoi vendimtar me disa pritje të rëndësishme.

Por nuk munguan edhe incidentet në tribuna. Forcat e sigurisë nxorën nga stadiumi një tifoz i cili ishte shfaqur me ngjyrat e Barcelonës në tribunën pas pankinës ku qëndronte skuadra e Hansi Flik, ndërsa i gjithë impianti këndonte në kor “jashtë, jashtë”, duke treguar se sa shumë përjetohet një ndeshje e tillë.



Read it all at Bota Sot