Ka zhvillime të rëndësishme sa i përket së ardhmes së Mauro Icardit, sulmues argjentinas dhe simbol i Galatasaray-t që nga viti 2022.
Qendërsulmuesi ishte prej kohësh në qendër të vëmendjes për të kuptuar nëse do të qëndronte apo jo te klubi turk, pasi kontrata e tij aktuale skadon më 30 qershor dhe ende nuk ishte zyrtarizuar rinovimi.
Megjithatë, lëvizjet nuk kanë munguar.
Drejtuesit e Galatasaray-t kanë zhvilluar prej kohësh një takim me lojtarin, duke i paraqitur një propozim konkret: një kontratë të re njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për 12 muaj të tjerë, por me kushtin e uljes së ndjeshme të pagës. Konkretisht, nga 10 milionë euro në sezon, paga do të zbriste në 4,5 milionë euro.
Sipas informacioneve të fundit të publikuara nga portali turk ‘Sabah Spor’, Icardi ka pranuar uljen e pagës, por ka kërkuar diçka në këmbim: një kontratë me kohëzgjatje më të madhe. Sulmuesi 32-vjeçar ka kërkuar një marrëveshje dyvjeçare me opsion për një vit shtesë. Galatasaray ka reaguar pozitivisht dhe ka pranuar kushtet e vendosura nga lojtari.
Në ditët në vijim, Icardi do të vendosë firmën në kontratën e re, duke zgjatur kështu një bashkëpunim shumë të suksesshëm me ngjyrat verdhekuqe. Si rrjedhojë, bie përfundimisht pista e rikthimit në Itali, duke konfirmuar edhe zërat për ftohjen e interesit nga Como.
Në këtë sezon, pas rikthimit nga një dëmtim i rëndë në gju, ish-sulmuesi i Interit ka shënuar 9 gola në 23 ndeshje. Ai ka kaluar edhe legjendën Hagi, duke u bërë golashënuesi i huaj më i mirë në historinë e Galatasaray-t në kampionatin turk (Süper Lig).
Që nga mbërritja e tij në Turqi, Icardi ka fituar 5 trofe, ka realizuar 70 gola në 110 ndeshje dhe ka dhënë 22 asistime, duke vulosur statusin e tij si një nga figurat më të rëndësishme në historinë moderne të klubit.