Zhgënjimi i Torinos me lojtarin shqiptar, nuk do të paguajë 11.5 milionë euro

- Bota Sot

Zhgënjimi i Torinos me lojtarin shqiptar, nuk do të paguajë 11.5 milionë euro

E ardhmja e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, te Torino duket se është në pikëpyetje, me mundësinë e ndërprerjes së parakohshme të huazimit të tij.

Klubi torinez po shqyrton seriozisht kthimin e futbollistit tek Interi, pasi performanca e tij nuk ka përmbushur pritshmëritë e drejtuesve.

Lajmi është bërë publik nga gazetari i njohur i merkatos, Mateo Moreto, i cili është një bashkëpunëtor i ngushtë i Fabrizio Romanos.

Moreto theksoi në një postim në rrjetet sociale se Torino po vlerëson seriozisht ndërprerjen e huazimit, duke shtuar se vendimi përfundimtar pritet të merret pas ndeshjes së kampionatit kundër Veronës.

Asllani iu bashkua Torinos në huazim me një të drejtë blerjeje prej 11.5 milionë eurosh në fund të sezonit.

Megjithatë, duket se klubi nuk e konsideron Asllanin si një investim të vlefshëm për këtë shifër dhe po planifikon strategji të tjera për merkaton, të cilat nuk e përfshijnë mesfushorin shqiptar.

Tani pritet me interes vendimi pas sfidës së sotme në Serinë A.



Read it all at Bota Sot