Ish-kapiteni i Anglisë dhe legjenda e futbollit britanik, Alan Shearer, ka kritikuar ashpër Chelsean pas largimit të trajnerit Enzo Maresca në ditën e parë të vitit 2026, duke e quajtur mënyrën e funksionimit të klubit si “të çmendur”.
“E di çfarë pune po merr përsipër kur shkon atje. Chelsea është një klub futbolli shumë i ndryshëm nga të tjerët, sidomos për mënyrën se si menaxhohet”, deklaroi Shearer, sipas Daily Mail.
Analisti anglez theksoi se problemi nuk qëndron te trajneri, por te drejtuesit e klubit.
“Kjo nuk ka të bëjë me Marescan, por me njerëzit mbi të.
Modeli i tyre është i qartë: blejnë lojtarë të rinj, i zhvillojnë, u japin kontrata të gjata dhe më pas përpiqen t’i shesin”.
Sipas Shearer, ky model nuk garanton sukses maksimal sportiv.
“Nuk mendoj se fiton ligën në këtë mënyrë. Mund të futesh në katër vendet e para sepse ke fuqi financiare, por në fund lojtari që vjen duhet të jetë më i mirë se ai që largohet”, vazhdoi Shearer.
Ai vlerësoi edhe punën e trajnerit të larguar, duke kujtuar sukseset e tij.
“Djali (Maresca) që u largua fitoi dy trofe sezonin e kaluar.
Ata ishin në vendin e pestë, vetëm një fitore larg katërshes së parë. Mendoj se bëri një punë shumë të mirë.
Nuk jam i sigurt se çfarë më shumë mund të kishte bërë. Reputacioni i tij është i lartë. A jam i befasuar nga largimi? Jo", u shpreh legjenda angleze.
Shearer shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke e cilësuar klubin londinez si klub të çmendur.
“Mendoj se Chelsea është një klub futbolli i çmendur ndonjëherë.
Kështu janë pronarët, kështu duan ta drejtojnë klubin. Është shumë ndryshe dhe kjo është ajo që Maresca po përpiqej të na tregonte me ato ‘thumbime’ të vogla tre javë më parë”.
Në fund, ai kujtoi edhe kontrastin e madh mes rezultateve dhe vendimit.
“Ai ishte trajneri i muajit në nëntor.
Po, kanë fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit dhe në një klub të nivelit të lartë kjo është e vështirë për t’u pranuar, por në futboll asgjë nuk më surprizon më – e sidomos te ai klub", përfundoi Shearer.