Liam Rosenior do të intervistohet të hënën për postin e trajnerit të Chelseat.
Trajneri i Strasbourgut mbetet kandidati kryesor për këtë rol.
Chelsea dëshiron të veprojë shpejt për të zëvendësuar Enzo Marescan dhe një emërim mund të bëhet në kohë për ndeshjen ndaj Fulhamit të mërkurën.
Calum McFarlane mori drejtimin e Chelseat për vizitën në “Etihad Stadium” dhe e udhëhoqi ekipin drejt një barazimi 1-1 kundër Manchester Cityt, falë një goli të vonë nga Enzo Fernández.
Duke folur pas ndeshjes, McFarlane tha: “Kur mora fillimisht drejtimin, më thanë se do të isha përgjegjës për ndeshjen ndaj Man City-t dhe se kishte një mundësi që trajneri i ri të vinte të hënën, kështu më thanë fillimisht. Sot është e diel dhe ne jemi fokusuar vetëm te ndeshja. Sa di unë, trajneri i ri mund të vijë së shpejti dhe unë do ta drejtoj ekipin derisa ai të mbërrijë”.
“Sky Sports News” kishte raportuar më herët se Rosenior është kandidati kryesor për këtë post, me klubin që nuk pritet të ndjekë Oliver Glasner, Cesc Fàbregas, Andoni Iraola apo Roberto De Zerbi.
Rosenior ka luajtur për Bristol City, Fulham, Reading, Hull City dhe Brighton gjatë një karriere 16-vjeçare si futbollist.
Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2018, Rosenior pothuajse e udhëhoqi Hull Cityn drejt “play-offit” të Championshipit në vitin 2024 dhe më pas u bë trajner i Strasbourgut, klub që është në pronësi të së njëjtës kompani mëmë si Chelsea, “BlueCo”. Klubi francez përfundoi i shtati në Ligue 1 sezonin e kaluar.
Maresca kuptohet se dha dorëheqjen sepse ndiente se pozicioni i tij ishte bërë i paqëndrueshëm, ndërsa Chelsea po shqyrtonte tashmë shkarkimin e tij për shkak të rezultateve të dobëta, deklaratave në media, mosmarrëveshjeve me stafin mjekësor dhe raportimeve që e lidhnin me klube të tjera.
Pak kush do ta kishte parashikuar Rosenior si trajner të Chelseat brenda dy vitesh, veçanërisht pasi ai u shkarkua në mënyrë jo dinjitoze nga Hull City në maj 2024.
Por ashtu si Strasbourg është shndërruar disi në një klub furnizues për “BlueCo” për zhvillimin e lojtarëve përpara se t’i transferojë te Chelsea, duket se i njëjti model po aplikohet edhe për stafin drejtues.
Një klub që realisht synon rikthimin në garën për titujt e Premierligës dhe Ligës së Kampionëve mund të mos e ndërmerrte një lëvizje të tillë, por ky është modeli që Chelsea po kërkon të adoptojë.
Formacioni i fundit i Marescas ishte më i riu i paraqitur nga ndonjë ekip i Premierligës këtë sezon dhe tani pasardhësi i tij i mundshëm do të bëhej trajneri i tretë më i ri në kampionat.
Kjo nuk do të thotë se Rosenior vjen pa përvojë.
Ai ka drejtuar mbi 150 ndeshje si trajner dhe ka kaluar gjithashtu tre vite si asistent më parë. Mjaftueshëm për të analizuar stilin e tij të menaxhimit dhe filozofinë e lojës.
Stili i tij i kontrolluar, i bazuar në pasime me topin, ka evoluar te Strasbourg duke përfshirë edhe një presing më të lartë pa topin – i gjashti më i miri në Ligue 1 këtë sezon – dhe nuk do të kërkonte ndryshime të mëdha nga filozofia e Marescas nëse ai do të merrte drejtimin e stërvitjeve së shpejti.