32 lokacione të gërmuara gjatë vitit, Hoti: Procesi mbetet i bllokuar nga Serbia

- Bota Sot

32 lokacione të gërmuara gjatë vitit, Hoti: Procesi mbetet i bllokuar nga Serbia

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka deklaruar për IndeksOnline se viti që po e lëmë pas ka qenë i vështirë për çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë, por me zhvillime të rëndësishme në aspektin institucional dhe operacional.

“Viti që po e përmbyllim ka qenë një vit i vështirë, por me zhvillime të rëndësishme në aspektin institucional dhe operacional”, ka thënë Hoti, duke shtuar se ndonëse nuk është arritur zgjidhja e pritur, është shënuar përparim në intensifikimin e aktiviteteve kërkimore dhe analizën e të dhënave arkivore.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë realizuar gërmime vlerësuese dhe zhvarrime në rreth 32 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa një progres i rëndësishëm është shënuar edhe në fushën e identifikimit përmes ADN-së.

“Janë pranuar mbi 50 raporte të ADN-së, rezultate këto që janë duke iu prezantuar familjeve”, ka theksuar Hoti, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për familjet e personave të zhdukur.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni ka rikthyer në agjendë edhe disa lokacione në territorin e Serbisë, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe.

“Lokacione si Kozhle apo Shtaval mbesin pjesë e agjendës edhe për vitin 2026, pasi për ne mbesin raste të hapura, pavarësisht që Serbia ka ndërprerë gërmimet në Kozhle”, ka deklaruar Hoti.

Duke folur për bashkëpunimin ndërinstitucional, Hoti ka vlerësuar se koordinimi me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë ka qenë i vazhdueshëm dhe konstruktiv.

“Bashkëpunimi në aspektin e veprimeve në terren dhe adresimit të informatave ka qenë kyç, ndërsa partnerët ndërkombëtarë mbeten thelbësorë për trajtimin e një çështjeje që tejkalon kufijtë shtetërorë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Hoti ka qenë kritik ndaj Serbisë, duke theksuar se progresi në bashkëpunim ka qenë pothuajse inekzistent.

“Fatkeqësisht, progresi në bashkëpunimin me Serbinë ka qenë i kufizuar, për të mos thënë nuk ka pasur fare progres”, ka deklaruar ai, duke shtuar se arkivat shtetërore dhe ushtarake serbe mbeten çelësi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Sipas Hotit, pengesat kryesore vazhdojnë të jenë mungesa e qasjes në arkiva dhe mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar obligimet ndërkombëtare.

“Pa qasje në arkiva, procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos me kalimin e kohës”, ka theksuar ai.

Duke folur për rolin e institucioneve të Kosovës, Hoti ka vlerësuar se kjo çështje po trajtohet si prioritet shtetëror.

“Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë trajtuar këtë çështje si prioritet, përfshirë edhe adresimin e saj në dialogun me Serbinë”, ka thënë ai.

Në fund, Hoti ka theksuar se gjetja dhe identifikimi i personave të pagjetur nuk është e mjaftueshme pa drejtësi.

“Gjetja dhe identifikimi është një e drejtë themelore e familjeve, por pa drejtësi nuk mund të ketë mbyllje të plotë të këtij kapitulli të dhimbshëm”, ka deklaruar ai.

Sa i përket vitit të ardhshëm, Hoti ka bërë të ditur se prioritet do të mbetet intensifikimi i kërkimeve në terren dhe rritja e presionit diplomatik ndaj Serbisë.

“Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkrahja e vazhdueshme për familjet e personave të zhdukur mbeten objektivat kyçe për vitin e ardhshëm”, ka përfunduar Hoti.



Read it all at Bota Sot