Skuadra e Shkëndijës që pas vetes la një vit shumë të mbarë, duke shkruar historinë në garat europiane, sot edhe zyrtarisht ka nisur fazën përgatitore dimërore, në prag të gjysmësezonit pranveror, ku kuqezinjtë do të garojnë në tre fronte, kampionatin vendor, Kupën dhe për herë të parë në histori edhe në pranverën evropiane, pas kualifikimit në play-off të Ligës së Konferencës.
Ditët e para, siç njoftojnë nga tabori kuqezi janë të dedikuara për ekzaminimet mjekësore, përpara se ekipi të kalojë në ritmin e plotë të punës me dy seanca stërvitore në ditë.
Ata gjatë ditës së sotme zhvilluan edhe seancën e vetme stërvitore, në të cilën prezent ishte edhe përforcimi më i ri, Drilon Islami, ndërsa mungoi Reshat Ramadani, të cilit tashmë i ka përfunduar koha e huazimit nga rradhët e Dinamo Kiev.
Pikërisht, Islami shihet njëherit edhe si zëvendësuesi i Reshat Ramadanit, që ishte një ndër më të mirët në aventurën më të suksesshme evropiane në historinë e Shkëndijës, skuadër kjo që për me datë 15 janar ka paraparë një ndeshje kontrolluese në vendin tonë.
Nga 17 janari deri më 1 shkurt, ekspedita kuqezi e Shkëndijës do të transferohet në Antalia të Turqisë, aty ku do të zhvillojë edhe fazën kryesore të përgatitjeve.
Gjatë qëndrimit në Antalia, kanë planifikuar edhe katër ndeshje kontrolluese, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar formën e ekipit.
Gjysmësezoni pranveror është planifikuar të nisë më 11 shkurt, ndërsa në ndeshjen e parë Shkëndija në Tetovë do të mirëpret Struga Trim & Lum.