Sulmuesi brazilian Gabriel Barbosa, i njohur nga të gjithë si Gabigol, është prezantuar si afrimi më i ri i skuadrës së Santos.
Ish-futbollisti i Interit, i cili rezultoi një dështim në fakt te zikaltrit, do të jetë partneri i ri i sulmit i Nejmar, me shpresën për të ringritur një klub i cili po kalon vështirësi shumë të mëdha.
Kjo është etapa e tretë e Gabigol te Santos, pasi ai ka dalë nga akademia e këtij klubi.
Por ai ka qenë edhe rival i ekipit në vitet e kaluara, duke luajtur për Flamengon e Kruzeiron e duke fituar trofe me ta.
Gjë që me sa duket nuk u ka pëlqyer shumë ultrasve të skuadrës të cilët që në prezantimin e tij të sotëm si pjesëtar të Santos, dhuruan një shfaqje të pazakontë në sallë para mediave.
Disa pjesëtarë të grupeve ultras u ngjitën në podium për t’i dhënë atij shalle të klubit dhe për të bërë foto me të, ndërsa një prej tyre iu afrua dhe i tha diçka që u kap nga mikrofonat e ndezur.
“Je në borxh me ne, ti e di se si janë gjërat këtu…”, ishin fjalët e tij ndaj Gabigol, që dukej si një kërcënim i hapur për sulmuesin dhe jo mesazh mikpritje.