Tragjedia në Crans-Montana: Lokali pa kontroll sigurie për pesë vjet

- Bota Sot

Tragjedia në Crans-Montana: Lokali pa kontroll sigurie për pesë vjet

Bari në resortin turistik Crans-Montana në Zvicër, ku në natën e Vitit të Ri ndodhi tragjedia e rëndë ku humbën jetën 40 persona, ndërsa 119 u lënduan, shumica prej tyre rëndë, nuk ishte kontrolluar për standardet e sigurisë për pesë vjet.

Kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Crans-Montanës, Nicolas Feraud, i cili ka kërkuar falje publike për rastin, por ka shtuar se nuk do të japë dorëheqje.

Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se, pas kësaj ngjarjeje, është ndaluar përdorimi i fishekzjarrëve në ngjarje lokale. Sipas hetimeve paraprake, fishekzjarrët apo xixëllonjat e vendosura në majat e shisheve, të cilat kamerierët i mbanin pranë tavanit, dyshohet se kanë shkaktuar ndezjen e zjarrit në lokal.

Policia zvicerane ka publikuar të hënën të dhënat më të fundit, duke bërë të ditur se 83 nga të plagosurit vazhdojnë të trajtohen në spitale.

Zyrtarët kanë pranuar gjithashtu se autoritetet komunale kishin kryer vetëm kontrolle për nivelin e zhurmës, kur pronarët e lokalit kishin kërkuar zgjatjen e orarit të punës, por asnjëherë nuk ishte kontrolluar gjendja e paneleve të shkumës në tavan, as nëse ato ishin rezistente ndaj zjarrit.



Read it all at Bota Sot