Raportime të shumta konfirmojnë se Matteo Guendouzi është pranë transferimit te Fenerbahce, me Lazio që do të përfitojë 25 milionë euro plus 2 milionë euro shtesë, por lëvizja nuk pritet të realizohet deri javën e ardhshme.
Kjo shumë është më e lartë se oferta fillestare, e cila raportohej të ishte 23 milionë euro plus 2 milionë euro bonus për performancë.
Mesfushori francez kishte rënë tashmë dakord për termat personal me skuadrën turke dhe ishte i etur për të kryer transferimin gjatë afatit të janarit.
Tani “Sky Sport Italia”, “Sport Mediaset”, “Sportitalia” dhe media të tjera janë të bindura se oferta e përmirësuar ka mjaftuar për të bindur edhe Lazion për shitjen.
Megjithatë, pritet që Guendouzi të luajë edhe dy ndeshje të tjera me fanellën e Lazios, duke mos u larguar deri në fillim të javës tjetër.
Ka një raund mesjavor në Serie A, kështu që Maurizio Sarri dëshiron ta mbajë atë për ndeshjet kundër Fiorentinës të mërkurën dhe pastaj kundër Veronës të dielën.
Kjo gjithashtu u jep kohë për të siguruar një zëvendësues, pasi aktualisht skuadra ka mungesa në përbërje.