Kampi i FC Drita – një hap i madh drejt një të ardhmeje edhe më të madhe për klubin, të rinjtë dhe qytetin.
“Sot u shënua një moment i veçantë dhe historik për FC Drita dhe për futbollin gjilanas, me mbajtjen e ceremonisë zyrtare të kampit stërvitor — një projekt që mishëron vizion, përkushtim dhe besim në të ardhmen.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Presidenti i klubit, Valon Murseli, Drejtori, Feti Murseli, Drejtori Sportiv, Valon Zymberi, Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, si dhe drejtues të klubit, përfaqësues të mediave, tifozë dhe dashamirë të shumtë të FC Drita-s.
Ky kamp përfaqëson më shumë sesa një investim infrastrukturor. Ai është një platformë zhvillimi për të rinjtë, një bazë e fortë për sukses sportiv dhe një dëshmi e qartë se FC Drita po ndërton të ardhmen me hapa të sigurt, profesionalizëm dhe vizion”, thuhet nga FC Drita.