Klubi i Futbollit Drenica ka publikuar një apel për solidaritet dhe mbështetje, pas dëmeve të mëdha që reshjet e fundit kanë shkaktuar në fushën e stadiumit të tij, duke e bërë të papërdorshme për stërvitje dhe zhvillimin e ndeshjeve.
Sipas klubit, gjatë muajve të fundit janë bërë investime të konsiderueshme për përmirësimin e infrastrukturës sportive, por reshjet e dendura kanë shkatërruar punën e kryer me përkushtim dhe sakrificë. FC Drenica ka publikuar video që tregojnë gjendjen e fushës para dhe pas dëmeve, duke ilustruar seriozitetin e situatës.
Klubi i është drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke kërkuar përkrahje urgjente për rikthimin e stadiumit në funksion dhe për sigurimin e vazhdimësisë së garave në kampionat. Pa ndihmën institucionale, sipas klubit, ekziston rreziku që rrugëtimi sportiv i ekipit të vihet në pikëpyetje.
Përveç ndihmës institucionale, FC Drenica bën thirrje për mbështetje edhe nga tifozët, komuniteti sportiv dhe gjithë dashamirësit e futbollit, duke theksuar se klubi është pjesë e historisë dhe identitetit sportiv të rajonit.
“Me ndihmën e të gjithëve, shpresojmë të ngrihemi sërish dhe t’u ofrojmë lojtarëve tanë kushtet që meritojnë.
Kërkojmë përkrahje për të përmirësuar infrastrukturën në mënyrë të qëndrueshme, për të tashmen dhe të ardhmen, për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, thuhet në apelin e klubit.