Kevin De Bruyne ishte goditja më e bujshme e merkatos së verës për Napolin, por pritshmëritë e mëdha rreth mesfushorit belg u përplasën shpejt me problemet fizike.
Ish-lojtari i Manchester City është jashtë fushave që prej 25 tetorit, pas dëmtimit në bicepsin femoral të pësuar në ndeshjen kundër Interit, dhe rikthimi i tij nuk pritet përpara muajit mars.
Ndërkohë që merkatoja e janarit ka hyrë në fazën më intensive, e ardhmja e De Bruyne në Itali ka nisur të vihet në diskutim. Sipas asaj që raporton “Il Mattino”, Napoli mund të marrë në konsideratë largimin e tij nëse në adresë të klubit do të mbërrijnë oferta konkrete nga Arabia Saudite. Edhe vetë lojtari, sipas të njëjtave burime, do të ishte i gatshëm të vlerësonte alternativa të tjera për vazhdimin e karrierës.
Disa klube të Saudi Pro League thuhet se janë të interesuara për ta pasur De Bruyne në skuadër, madje edhe në kushtet aktuale të dëmtimit. Një transferim i tillë do t’i mundësonte mesfushorit të vazhdonte qetësisht fazën e rikuperimit, me objektivin kryesor që mbetet përgatitja për Kupën e Botës.
Pikërisht Botërori pritet të jetë boshti rreth të cilit do të merren vendimet e belgut, i lindur në vitin 1994. Ky turne shihet gjerësisht si Botërori i fundit i karrierës së tij, ndaj De Bruyne nuk ka ndërmend të rrezikojë një rikthim të parakohshëm në fushë që mund të sillte komplikacione apo dëmtime të reja.
Një tjetër faktor është edhe aspekti taktik. Napoli i drejtuar nga Antonio Conte ka gjetur ekuilibrin me skemën 3-4-2-1 dhe rikthimi i De Bruyne në këtë kontekst mund të kërkonte një periudhë të re përshtatjeje, jo domosdoshmërisht të menjëhershme.
Për momentin bëhet fjalë vetëm për hipoteza dhe skenarë, pa negociata zyrtare të konfirmuara. Ndërkohë, pas fazës së parë të rehabilitimit të kryer në Belgjikë, De Bruyne pritet të rikthehet në Napoli brenda një jave për të vijuar programin e rikuperimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit.