Federata Spanjolle e Futbollit po punon për ndryshime të rëndësishme në kalendarin e garave, duke synuar që Superkupa e Spanjës të mos zhvillohet më në javën e parë të janarit.
Pas konsultimeve me të gjitha klubet e përfshira, qëndrimi i përgjithshëm është se kjo datë ndikon negativisht në ditët e fundit të festave të fundvitit, si për lojtarët ashtu edhe për tifozët.
Për këtë arsye, po shqyrtohet seriozisht mundësia që, duke filluar nga edicioni i ardhshëm, Superkupa të zhvillohet në javën e parë të shkurtit.
Ky ndryshim do të kërkonte riorganizim të kalendarit aktual, por të gjitha palët e përfshira e konsiderojnë një zgjidhje më të përshtatshme se formati aktual.
Sa i përket vendit organizator, edicioni i ardhshëm pritet të luhet në Katar, i cili konsiderohet favorit, pasi në Arabinë Saudite në atë periudhë do të zhvillohet Kupa e Azisë. Aktualisht, tenderi për organizimin e Superkupës është i hapur: Arabia Saudite dëshiron të zgjasë marrëveshjen ekzistuese, ndërsa Katari synon ta marrë organizimin duke përfituar nga edicioni i vitit 2027.
Aspekti ekonomik mbetet vendimtar. Federata ka dyfishuar të ardhurat nga të drejtat, nga 3 në 6 milionë euro, çka sjell përfitime më të mëdha për klubet pjesëmarrëse.
Athletic Bilbao përfiton rreth 1.8 milionë euro, Atletico Madrid 2.8 milionë, ndërsa Real Madrid dhe Barcelona rreth 6 milionë euro secila.
Ndërkohë, më e ndërlikuar paraqitet situata e finales së Kupës së Mbretit. E planifikuar për 25 prill dhe e zhvendosur për shkak të Panairit të Seviljes, data përfundimtare varet nga ecuria e Betisit në këtë kompeticion dhe në Europa League, pasi ky ekip luan ndeshjet në stadiumin “La Cartuja”.