Juventusi ka shpëtuar nga një barrë e rëndë për arkat e klubit, pasi është mësuar se ka prishur më në fund kontratën me Igor Tudor.
Kroati, i cili u shkarkua pak muaj më parë nga bardhezinjtë, ka vendosur që të ndërpresë marrëdhëniet me klubin për të kërkuar një pankinë për të drejtuar.
Ai mund të rrinte deri në vitin 2028 i papunë duke u paguar rregullisht nga Juventusi, por ka zgjedhur të gjejë një akord me klubin duke marrë një pjesë të parave për t’u larguar nga bardhezinjtë.
Ndaj tani Juventusi mbetet me dy trajnerë nën kontratë.
I pari është ai që po drejton aktualisht ekipin, Luçiano Spaleti, i cili ka një marrëveshje deri në verën e këtij viti. Ndërsa i dyti është Tiago Mota, i cili ka një marrëveshje që zgjat deri në verën e vitit 2027 dhe do të paguhet rregullisht nga bardhezinjtë me 4 milionë euro në vit deri atëherë.