Girona ka shfaqur interes për mesfushorin shqiptar Kristjan Asllani, i cili pritet të ndërpresë huazimin me Torinon dhe të rikthehet te Interi.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, klubi katalanas ka kontaktuar drejtuesit e Interit për të marrë informacione rreth situatës së 23-vjeçarit, duke sinjalizuar interes për një transferim të mundshëm.
Asllani nuk ka arritur të rigjejë formën e tij te Torino, pavarësisht se ka zhvilluar 15 paraqitje në Serie A këtë sezon.
Për pasojë, klubi “granata” e ka konsideruar mesfushorin jashtë planeve dhe është gati të ndërpresë huazimin, duke e rikthyer atë në “San Siro”.
Me këtë zhvillim, Interi është i detyruar të gjejë një destinacion të ri për lojtarin deri në fund të afatit kalimtar të janarit. Asllani kishte refuzuar disa oferta gjatë verës, përfshirë edhe një propozim nga Real Betis, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes klubit spanjoll dhe Interit.
Girona mund të tentojë afrimin e mesfushorit shqiptar në formë huazimi me opsion blerjeje, një formulë që shihet si e pranueshme nga Interi, i cili kërkon ta largojë lojtarin përfundimisht. Asllani nuk përshtatet me sistemin e trajnerit Cristian Chivu dhe e ardhmja e tij te “Nerazzurrët” duket gjithnjë e më larg.