Mediat gjermane dhe zvicerane “kryqëzojnë” Vuçiqin, pse politikës me 4 karrige i ka ardhur fundi

- Bota Sot

Mediat gjermane dhe zvicerane “kryqëzojnë” Vuçiqin, pse politikës me 4 karrige i ka ardhur fundi

Për vite me radhë, Serbia ka balancuar midis BE-së, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Lufta në Ukrainë, sanksionet dhe presionet energjetike tani e kanë tronditur seriozisht këtë politikë, shkruajnë mediat gjermane dhe zvicerane, raporton Deutsche Welle. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi ndoqi një politikë balancimi midis fuqive të mëdha botërore, lufta në Ukrainë e ndryshoi këtë, shkruan gazeta zvicerane Neue Zircher Zeitung (NZZ). “Në shikim të parë, kjo është e kuptueshme: një vend i vogël si Serbia, me rreth 6.6 milionë banorë, në një botë shumëpolare nuk mbështetet vetëm në një partner të fortë. Nga ky kuptim, Beogradi zhvilloi të ashtuquajturën ‘Doktrina e Katër Shtyllave’. Sipas saj, politika e jashtme duhet të bazohet në marrëdhëniet më të favorshme me BE-në, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në, duke marrë vazhdimisht parasysh interesat e veta”, shkruan Andreas Ernst për NZZ.

Telashet e Vuçiçit

Sipas kësaj gazete, kjo funksionoi mjaft mirë për gati njëzet vjet dhe i dha majës së shtetit hapësirë ​​të konsiderueshme manovrimi. “Beogradi shpesh ka luajtur mbi nivelin e tij të vërtetë në skenën ndërkombëtare. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, tre nga katër shtyllat e politikës së jashtme serbe filluan të shkurorëzohen. Dhe kjo në një kohë kur regjimi trembëdhjetëvjeçar i Presidentit Aleksandër Vuçiç është dobësuar nga brenda si kurrë më parë: përballë lëvizjes studentore dhe qytetare dhe forcimit të shoqërisë civile.” Andreas Ernst shkruan se partneri më i duruar i Serbisë, Bashkimi Evropian, po ia kthen shpinën asaj. “Negociatat e pranimit kanë ecur me ritëm të ngadaltë për vite me radhë, dhe që nga viti 2021 ato praktikisht janë ngrirë, kryesisht sepse gjendja e sundimit të ligjit dhe liritë e medias janë përkeqësuar në vend që të përmirësohen.”

Fundi i politikës me 4 karrige

Megjithatë, politika serbe e balancimit ishte menduar kryesisht për audiencën vendase, vlerëson gazeta zvicerane. “Brenda vetë vendit, Vuçiç arriti ta paraqiste veten si një burrë shteti që mban marrëdhënie me fuqitë botërore. Ai u prit nga Putini, krijoi një “miqësi të fortë” me Xi-në dhe u mirëprit gjithashtu në Bruksel.” U prit mirë në Serbi edhe sepse ngjalli kujtime të epokës së Lëvizjes së të Paangazhuarve: periudha midis viteve 1960 dhe 1980 kur Tito manovroi me mjeshtëri Jugosllavinë socialiste midis blloqeve të pushtetit. Por Serbia nuk është Jugosllavia dhe Vuçiqi nuk është Tito, shkruan Andreas Ernst. Në fund, siç përfundon gazeta zvicerane, loja me katër shtylla po i vjen fundi. “Kjo e minon më tej autoritetin tashmë të dobësuar të Vuçiçit. Detyra e pasardhësit të tij do të jetë të zgjedhë aleatin e duhur në mjedisin e ri gjeopolitik. Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për këtë duke reformuar politikën e tij të integrimit.”

Presioni amerikan

Artikulli i Berliner Zeitung thekson se SHBA-të po përdorin sanksionet si mjet presioni për ta detyruar Serbinë të riorientohet në sektorin energjetik. Përmes OFAC-ut, Uashingtoni i dha NIS-it një leje të përkohshme pune, duke shmangur paralizimin e plotë të furnizimit me naftë, por pa hequr presionin strategjik. Sipas gazetës, lejet e njëkohshme për NIS dhe JANAF tregojnë se synimi amerikan nuk është mbyllja e infrastrukturës energjetike serbe, por ristrukturimi i pronësisë së saj. Qëllimi kryesor i SHBA-ve është largimi i plotë i kapitalit dhe ndikimit rus nga sektori energjetik i Serbisë.

Tre javë vendimtare

Sipas autorit Boban Gjukiç, rasti i NIS tregon se politika e ashpër e sanksioneve amerikane po jep rezultate, duke ushtruar presion jo vetëm ekonomik, por edhe politik mbi Serbinë. Marrëdhëniet me Rusinë janë tensionuar, sidomos për shkak të bllokimit të negociatave dhe refuzimit rus për të shitur drejtpërdrejt aksionet e veta. Berliner Zeitung thekson se tri javët e ardhshme janë vendimtare, sepse gjatë kësaj periudhe duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme për pronësinë e NIS-it, përpara skadimit të licencës amerikane. Nëse aksionet e Gazprom-it kalojnë te MOL, Serbia do të sinjalizonte një orientim të qartë energjetik dhe gjeopolitik drejt Perëndimit. Në të kundërt, dështimi i negociatave do ta kthente vendin në prag të një krize të re energjetike.



Read it all at Bota Sot