Nga Brazili po qarkullon një lajm merkatoje.
Interi ka hedhur sytë te Robinho Junior, djali 18-vjeçar i ish-sulmuesit të Milanit.
Sipas portalit “UOL”, talenti i ri i Santos ka shfrytëzuar pushimet e fundvitit për një udhëtim të shkurtër në Itali, ku ka vizituar edhe ambientet e klubit zikaltër.
Interi, i cili e ndjek lojtarin prej rreth një viti, ka tentuar një ofensivë konkrete që në merkaton e janarit.
Oferta e paraqitur kap vlerën totale prej 22 milionë eurosh: 18 milionë shumë fikse dhe 4 milionë në formë bonusesh.
Megjithatë, Santos e ka refuzuar propozimin, duke shtyrë çdo diskutim për verën e ardhshme, kur do të jetë i detyruar të vlerësojë shitjen e lojtarit, kontrata e të cilit skadon në vitin 2027.
Nga ana tjetër, vetë Robinho Junior nuk është ende plotësisht i bindur për një transferim të menjëhershëm në Evropë. Ai dëshiron të kuptojë nëse ky është momenti i duhur për të lënë Brazilin dhe preferon të luajë të paktën pjesën e parë të vitit në kampionatin vendas.