Egnatia hyn në sfidën e Kupës së Shqipërisë me një objektiv të vetëm, të evitojë në çdo mënyrë një hap fals që mund të komplikojë rrugëtimin e saj në këtë kompeticion.Përballë Apolonisë, një skuadër që militon në Kategorinë e Parë, rrogozhinasit janë të vetëdijshëm se ndeshjet e Kupës nuk falin shpesh gabime, pavarësisht diferencave në letër. Historia e këtij kompeticioni ka treguar se ekipet favorite shpesh janë ndëshkuar nga nënvlerësimi, ndaj Egnatia kërkon të tregojë pjekuri dhe seriozitet.
Qëllimi është i qartë: kalimi i turit pa lënë hapësira për surpriza apo tension të panevojshëm. Edhe pse Apolonia vjen nga një kategori më e ulët, në kampin e Egnatias nuk ka vend për vetëkënaqësi.
Pikërisht për këtë arsye, stafi teknik ka kërkuar respekt maksimal për kundërshtarin, duke e konsideruar këtë ndeshje si një provë karakteri për ekipin, më shumë sesa një formalitet.
ROTACIONI – Trajneri Edlir Tetova pritet të aplikojë një rotacion të arsyetuar në formacion, duke menaxhuar minutat e lojtarëve kryesorë. Fokusimi nuk është vetëm te Kupa, por edhe te përballja delikate me Vllazninë në kampionat, e cila vjen pak ditë më pas dhe kërkon energji të plota. Megjithatë, ndryshimet në formacion nuk do të ndikojnë në ambicien e skuadrës. Çdo lojtar që do të aktivizohet pritet të japë maksimumin, duke e parë këtë ndeshje edhe si një mundësi për të fituar besimin e stafit teknik dhe për të rritur konkurrencën e brendshme.
PLANI – Gjatë seancave stërvitore, Tetova ka insistuar në një qasje serioze dhe të përqendruar.
Tekniku u ka bërë të qartë lojtarëve se ndeshja duhet të zgjidhet sa më shpejt, për të shmangur presionin që vjen me kalimin e minutave.
Sipas stafit, çdo minutë e humbur pa gjetur avantazhin rrit lodhjen fizike dhe mendore, si dhe i jep besim kundërshtarit.
Ky është një skenar që Egnatia nuk dëshiron ta përjetojë në këtë fazë të sezonit, ku menaxhimi i energjive është thelbësor. Ideja është që Egnatia të marrë kontrollin e lojës që në fillim, të diktojë ritmin dhe të mos lejojë Apoloninë të ndiejë komoditet.
Një qasje pragmatike, pa rreziqe të panevojshme, shihet si çelësi për ta mbyllur ndeshjen në kohë dhe për të shmangur lodhjen shtesë.
Një rezultat i sigurt do t’i jepte skuadrës jo vetëm kualifikimin, por edhe qetësinë e nevojshme për të zhvendosur menjëherë fokusin te kampionati. Pavarësisht rëndësisë së kampionatit, Kupa e Shqipërisë nuk është një kompeticion dytësor për Egnatian.