Sunderland ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të FA Cup, pasi eliminoi Evertonin pas ekzekutimit të penalltive në një ndeshje dramatike.
Takimi u mbyll 1-1 pas 90 minutave lojë, por në penallti vendasit u treguan shumë më të saktë, duke triumfuar 3-0 dhe duke prerë biletën për në 1/16 e finales.
Në këtë përballje u dallua mesfushori shqiptar Granit Xhaka, i cili zhvilloi një tjetër paraqitje të nivelit të lartë.
Ai u vlerësua me notën 8.4 nga SofaScore, nota e dytë më e lartë e ndeshjes pas portierit Roefs. Xhaka ishte gjithashtu i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar penalltinë e dytë për Sunderlandin.
Në anën tjetër, Everton përjetoi një mbrëmje për t’u harruar nga 11-metërshi, pasi Beto, Barry dhe Garner dështuan në tentativat e tyre, duke ia pamundësuar skuadrës së tyre vazhdimin e rrugëtimit në këtë kompeticion.
Me këtë sukses, Sunderland avancon në 1/16 e finales së FA Cup, ndërsa në ditët në vijim do të mësojë edhe kundërshtarin e radhës.
Vlen të kujtohet se fituesi i FA Cup siguron automatikisht edhe një vend në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm.