PSG e mbylli vitin 2025 në mënyrë perfekte me disa trofe të fituar, teksa me të njëjtin marsh u paraqit edhe në janar, ku triumfoi në finalen e Superkupës së Francës.
Gjithçka duket se po shkon mirë për ekipin e udhëhequr nga një strateg si Luis Enrique, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer, ku mbi të gjitha rilindi një futbollist si Ousmane Dembele, i njohur mbi të gjitha për karakterin e tij të vështirë. Këtë gjë e ka shfaqur sërish, ku edhe pse ka fituar gjithçka brenda 12 muajve të fundit, ka ende pakënaqësi.
Sulmuesi ka hezituar të rinovojë kontratën e tij, duke vendosur kushte ndaj drejtuesve, të cilat duket se nuk do të sjellin asgjë. Kjo për faktin se Dembele ka kërkuar një pagë prej 60 milionë eurosh në sezon; aktualisht merr 18 milionë, por presidenca e parizienëve ka gati 30 milionë në vit. Kjo nuk e kënaq aspak numrin 10 të Parisit, i cili ka pohuar se nuk do të negociojë për një vlerë më të ulët se 60 milionë euro.
Në këtë pikë, largimi është i mundur, por asnjë skuadër tjetër në Evropë nuk mund të paguajë aq shumë një futbollist, edhe pse ai mund të jetë Topi i Artë. E vetmja që mund të ofrojë diçka të tillë është Arabia Saudite, duke u kthyer kështu, pse jo, në një destinacion për Dembele.