Manchester City ka dhuruar një paraqitje spektakolare ndaj Exeterit në kuadër të 1/32 së finales së FA Cup, duke e mbyllur takimin me fitoren e thellë 10-1.
Edhe pse Pep Guardiola zbriti në fushë me një formacion tërësisht të ndryshëm, “Qytetarët” dominuan nga fillimi deri në fund. Vendasit morën epërsinë që në minutën e 12-të përmes Allenye, ndërsa vetëm pak çaste më vonë Rodri realizoi një gol shumë të bukur për të dyfishuar rezultatin.
Pjesa e parë u mbyll praktikisht me fatin e ndeshjes të vendosur, pasi mysafirët u ndëshkuan edhe nga dy autogola radhazi. Fillimisht Doyle-Hayes dërgoi topin në portën e tij, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë e njëjta gjë ndodhi edhe me Fitzwater.
Në fraksionin e dytë, Manchester City vazhdoi me të njëjtin ritëm. Transferimi i ri, Semenyo, pati një debutim ëndrrash duke kontribuar me një asistim dhe një gol. Ai shërbeu për Lewis, i cili shënoi për 5-0, ndërsa pak minuta më vonë gjeti edhe vetë rrugën e rrjetës.
Reijnders, O’Reilly dhe McAidoo shtuan edhe tre gola të tjerë, duke e çuar rezultatin në shifra historike. Exeter arriti vetëm të shënojë golin e nderit në minutën e fundit përmes Birch, por City reagoi menjëherë me golin e dytë personal të Lewis, duke vulosur fitoren përfundimtare 10-1.
Me këtë triumf bindës, Manchester City siguron kalimin në raundin tjetër të FA Cup dhe konfirmon thellësinë e jashtëzakonshme të skuadrës edhe me formacionin rezervë.