Massimiliano Allegri pret transfertën e vështirë në Firence me bindjen se Fiorentina–Milan do të jetë një ndeshje që shkon përtej renditjes aktuale.
Edhe pse skuadra vjollcë është në fund të tabelës, trajneri i Milanit paralajmëroi: “Fiorentina ka vlera të mira teknike.
Po del nga një moment i vështirë dhe po rikthehet në formë, ndaj duhet të bëjmë një paraqitje të fortë si teknikisht, ashtu edhe fizikisht, për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve tona”.
Duke u ndalur te barazimi i fundit me Genoan, Allegri mbrojti Fofana-në pas gabimit që u bë viral: “I kam uruar ditëlindjen. Gabime ndodhin, vlera e tij mbetet e rëndësishme”. Ndërsa për episodet e debatueshme, si penalltia e Pavlovic, shtoi: “Janë pjesë e bukurisë së futbollit, me kalimin e kohës edhe të bëjnë të buzëqeshësh”.
Sa i përket formacionit, Allegri konfirmoi se Luka Modric do të nisë nga pankina, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që Ricci dhe Jashari të luajnë së bashku. Për Leaon u shpreh pozitiv: “Po përmirësohet, është e rëndësishme që të gjejë golin për të qenë më i qetë”. Nkunku është i gatshëm, ndërsa për Fullkrug vendimi do të merret në minutat e fundit.
Trajneri i kuqezinjve preku edhe temën e arbitrimit, duke theksuar besimin te VAR-i, por pranoi se situatat subjektive mbeten të vështira për t’u gjykuar.
Në fund, Allegri ishte i qartë për objektivin sezonal: “Duhet të luftojmë për të qëndruar në katërshen e parë deri në fund.
Nëse dalim nga ajo zonë, humbasim realitetin e gjërave, sidomos duke pasur parasysh ndryshimet e shumta në skuadër dhe dëmtimet”.