Victor Osimhen ka theksuar se fokusi i tij kryesor mbetet fitimi i Kupës së Afrikës (AFCON), jo thyerja e rekordit të golave me kombëtaren e Nigerisë, pas fitores 2-0 ndaj Algjerisë të shtunën.
Sulmuesi me maskë i dha epërsinë “Super Eagles” në Marrakesh me golin e tij të 35-të në 51 paraqitje me fanellën kombëtare, ndërsa më pas asistoi për Akor Adams, duke vulosur kualifikimin në gjysmëfinale, ku Nigeria do të përballet me Marokun vendas.
27-vjeçari është tashmë vetëm dy gola larg rekordit historik të Rashidi Yekinit (37 gola), legjendës së ndjerë që udhëhoqi Nigerinë drejt triumfit në AFCON 1994 dhe mori pjesë në dy Kupa Bote. Megjithatë, Osimhen këmbëngul se shifrat personale nuk janë prioritet.
“Jo aspak,” u shpreh Osimhen kur u pyet nëse rekordi do të ishte në mendjen e tij në ndeshjet e mbetura.
“E kam thënë shumë herë: nuk ka rëndësi nëse e barazoj apo e kaloj rekordin. Rashidi Yekini është sulmuesi më i mirë që ka prodhuar ndonjëherë Nigeria. Unë thjesht përpiqem të jap maksimumin për ekipin.”
Ish-sulmuesi i Napolit, që ka shënuar nëntë gola në tetë paraqitjet e fundit ndërkombëtare dhe katër gola në katër ndeshjet e fundit të AFCON-it, shtoi: “Është kënaqësi të jesh pjesë e historisë së Super Eagles, por ajo që dua më shumë është të fitoj diçka për vendin tim. Nuk ka të bëjë me gola apo asistime, por me trofe.”
Nigeria do të përballet me Marokun të mërkurën e ardhshme në Rabat, qyteti ku ëndrrat e saj për Kupën e Botës u shuan pas humbjes me penallti ndaj Republikës Demokratike të Kongos në nëntor.
Megjithatë, reagimi i ekipit ka qenë mbresëlënës: pesë fitore në pesë ndeshje në këtë turne dhe 14 gola të shënuar.
Trajneri Eric Chelle u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës: “Kemi tashmë një identitet, me dhe pa top. Mund të ishim në epërsi 2-0 që në pjesën e parë.
Në të dytën ishim më klinikë. Lojtarët po e shijojnë këtë moment dhe duhet ta mbajmë këtë dinamikë pozitive.”
Nigeria duket në rrugën e duhur drejt finales, por sfida ndaj Marokut pritet të jetë testi më i vështirë deri tani.