Strakosha: E respektoj Greqinë, por jam shqiptar nga Himara

- Bota Sot

Strakosha: E respektoj Greqinë, por jam shqiptar nga Himara

Thomas Strakosha zgjedh të mos fshihet pas klisheve.

Përkundrazi, portieri i Kombëtares shqiptare e thotë hapur dhe me krenari origjinën e tij, duke theksuar se është shqiptar nga Himara, pavarësisht se ka lindur dhe është rritur në Athinë.

Në një intervistë për “Athletico.gr”, gardiani kuqezi ka folur pa komplekse për identitetin e tij, duke pranuar se shumë shqiptarë në Greqi hezitojnë ta shprehin hapur prejardhjen.

“Në Akademinë e AEK takoj shpesh fëmijë që më afrohen dhe më thonë se janë shqiptarë.

Kjo më bën të ndihem krenar. Unë e respektoj Greqinë, por origjina ime është nga Himara dhe jam krenar që jam shqiptar”, u shpreh Strakosha.

Gjatë podcastit ku ishte i ftuar, u prek edhe figura e të atit, Fotaq Strakosha, një emër i njohur i futbollit shqiptar, në gjurmët e të cilit po ecën edhe Thomasi 30-vjeçar. Rrugëtimi i tij futbollistik nisi herët, me hapat e parë te APOEL në Nicosia, për të vijuar më pas te Panionios në Athinë dhe më pas te Lazio në Romë.

Ishte pikërisht te Lazio ku Strakosha bëri debutimin si profesionist, duke kaluar nëntë sezone në Serie A dhe duke u afirmuar si një nga portierët më të besueshëm të kampionatit italian.

Më pas, karriera e tij vazhdoi në Premier League me Brentford, përpara se në vitin 2024 të rikthehej në Athinë, këtë herë për të firmosur me AEK, klub me të cilin aktivizohet aktualisht.

Në aspektin statistikor, Strakosha po përjeton një periudhë mjaft pozitive. Ai renditet ndër pesë portierët më të suksesshëm në 15 kampionatet kryesore europiane, duke e mbajtur portën e paprekur në 22 ndeshje në të gjitha kompeticionet gjatë vitit kalendarik 2025 dhe në fillimin e vitit 2026, një tregues i qartë i formës dhe pjekurisë së tij sportive.



Read it all at Bota Sot