Loja e bukur e Ardon Jasharit, e kurorëzuar me Këpucën e Artë

- Bota Sot

Loja e bukur e Ardon Jasharit, e kurorëzuar me Këpucën e Artë

Ardon Jashari, me origjinë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, i lindur dhe i formuar si futbollist në Zvicër, në një konkurrencë mjaft të fortë, është nderuar nga shteti belg me Këpucën e Artë, si futbollisti më i mirë i vitit 2025, duke lënë pas emra të njohur si Hans Vanaken dhe Christos Tzolis.

Jashari, i nominuar për këtë çmim prestigjioz që në raundin e parë të votimit, arriti të krijojë diferencë bindëse pikësh ndaj konkurrentëve të tjerë. Adhuruesve të futbollit duhet t’u rikujtohet se Ardon Jashari është edhe reprezentues i përfaqësueses së Zvicrës. Aktualisht ai aktivizohet te AC Milan, një nga klubet më të mëdha të futbollit italian dhe evropian.

Para se të transferohej në Itali, Jashari luajti për Club Brugge, kampion i shumëfishtë i Belgjikës, ku spikati me lojën e tij taktike në mesfushë.

Formimin si futbollist e mori te FC Luzern, ku zhvilloi 82 ndeshje zyrtare dhe u bë kapiteni më i ri në historinë 124-vjeçare të këtij klubi me traditë. Ky çmim i fituar dëshmon më së miri për cilësitë e larta të këtij talenti të rrallë të futbollit bashkëkohor.

P.S. Shënim: Kjo fotografi është marrë nga burimi publik RTBF, me autorësi © Belga Images. Autori e citon burimin për të respektuar rregullat e autorësisë, për dallim nga disa gazeta e portale të tjera që nuk e bëjnë këtë.



Read it all at Bota Sot