Në vitin 2018, Serbia dhe Mali i Zi konsideroheshin liderë të procesit të pranimit në BE, sipas Presidentit të atëhershëm të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Sot, Mali i Zi ka një plan veprimi se si t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe po flitet për të si anëtari i ardhshëm i BE-së deri në vitin 2030. Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina si një rast i veçantë përmenden gjithashtu si kandidatë potencialë për anëtarësim. Askush nuk e përmend Serbinë si një anëtar të mundshëm në të ardhmen, shkruan me keqardhje media serbe “Nova.rs”, e cila ngre pyetjen sesi Serbia përfundoi në atë pozicion.
Përgjigja, sipas medias serbe, për këtë është shumë e qartë, nga veprimet aktive të regjimit të Aleksandër Vuçiç që nga hapja e negociatave në vitin 2014, pjesërisht nga lëvizjet e gabuara, kryesisht duke shpërbërë institucionet, dhe pjesërisht duke dështuar në ndërmarrjen e lëvizjeve të duhura që do ta sillnin Serbinë më afër anëtarësimit në BE, por në të njëjtën kohë do ta dëmtonin regjimin. Kapitujt 23 dhe 24 janë të ashtuquajturit kapituj bllokues, sepse mungesa e përparimit në to mund të bllokojë të gjitha negociatat. Serbia e pranoi këtë qasje kur hapi negociatat në vitin 2014, dhe për shkak të mungesës së përparimit në Kapitujt 23 dhe 24, Serbia nuk ka hapur asnjë grup të vetëm që nga viti 2021.
Pengesat kryesore
Aftësia e Serbisë për t’u afruar me BE-në matet kryesisht përmes gjendjes së demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, lirisë së medias dhe funksionimit të shtetit, si edhe përmes qëndrimit të saj politik ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Pikërisht në këto fusha Serbia mbetet më e dobët. Në vitin 2025, vlerësimi mesatar për kriteret politike është vetëm 2.4 nga 5, pothuajse i pandryshuar krahasuar me vitin 2015. Liria e fjalës vlerësohet dobët, zgjedhjet nuk konsiderohen më plotësisht të drejta dhe Serbia shihet nga BE si një rrezik i mundshëm sigurie, për shkak të lidhjeve me Rusinë dhe aktivitetit rus në territorin e saj.
Kostoja e “neutralitetit”
Situata është përkeqësuar edhe në luftën kundër korrupsionit dhe në shpenzimin e parave publike. Serbia ka rënë ndjeshëm në renditjen e Transparency International, ndërsa shumica e prokurimeve publike bëhen jashtë rregullave normale, përmes marrëveshjeve të veçanta, përfshirë projekte infrastrukturore problematike. Për më tepër, kapitulli që lidhet me politikën e jashtme është i bllokuar prej vitesh, sepse Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Kjo qasje tani po i kthehet si bumerang: sanksionet amerikane ndaj sektorit rus të energjisë kanë goditur drejtpërdrejt Serbinë dhe po kërcënojnë sigurinë e saj energjetike, duke treguar se “neutraliteti” i shpallur ka një kosto të lartë. Në dhjetor 2025, pasi Rusia i dha Serbisë vetëm një kontratë tremujore për furnizim të mëtejshëm me gaz, Presidenti Vuçiç deklaroi “se Beogradi priste përparim të madh nga administrata e re amerikane, por se në të vërtetë nuk ka mbështetje nga ndonjë fuqi e madhe”.
Kushti i parë
E gjithë kjo flet për çorientimin total të politikës së regjimit dhe ngërçin në të cilin e futi Serbinë, duke pasur parasysh se mund të luajë pa parime me të gjithë, pa një angazhim të qartë strategjik dhe një dëshirë të sinqertë për ta futur realisht Serbinë në BE. Ky lloj çorientimi shoqërohet me korrupsion të paparë, rritje të krimit të organizuar dhe shpërbërje të të gjitha parimeve, proceseve dhe institucioneve demokratike. Një vend i tillë nuk mund të bëhet anëtar i BE-së, dhe përgjegjësia për një gjendje dhe pozicion të tillë të Serbisë i takon vetëm dhe ekskluzivisht regjimit, shkruan media serbe “Nova.rs”. Kushti i parë për rikthimin e Serbisë në garën për anëtarësim në BE është ndryshimi i qeverisë dhe zgjidhja e çështjeve të lartpërmendura. Ndryshe nga narrativa e vendosur e autoriteteve, Kosova nuk është arsyeja për ta ndaluar Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, as nuk është problemi më i madh që ka Serbia sot.