Një gol të zgjat jetën te… Milani. Mund të thuhet në rastin e sulmuesit Christopher Nkunku.
Ai u bashkua në verë me kuqezinjtë si blerja më e shtrenjtë e Serie A, por përjetoi një periudhë të vështirë për shkak të problemeve fizike, me zero gola në kampionat.
Pati kritika dhe dyshime për të ardhmen e tij, por kthesa erdhi me golin e shënuar në Verona. Që aty dy gola radhazi në kampionat, mes të cilëve ai në Firenze, ku Nkunku tundi rrjetën dhe rigjeti besimin, duke larguar paragjykimet për të.
Të enjten Milani luan në Como ndeshjen e shtyrë për shkak të Superkupës. Rafael Leao është në dyshim të fortë për shkaqe fizike, kështu që Nkunku mund të ketë një fanellë titullari. Francezi ka dhënë sinjale të qarta dhe Allegri nuk do që të rrezikojë, edhe pse Leao po përpiqet të rikuperohet në kohë. Alternativa për partnerin e Pulisic është Fullkrug, por trajneri mund të besojë sërish tek ish-lojtari i Chelsea.
Goli në Firenze duket se ka larguar edhe lamtumirën e Nkunku nga Milani në janar. Turqia sot është larg, kjo kuptohet si nga fjalët e lojtarit, ashtu edhe nga qëndrimi i trajnerit të Fenerbahce, Domenico Tedesco. Ky i fundit ka thënë se është e pamundur që Christopher Nkunku të transferohet në Turqi në janar.