Teksa Milani pret të qartësojë të ardhmen e Luka Modriç, klubi kuqezi po hedh sytë edhe drejt merkatos së verës.
Një nga emrat që ka hyrë në radarët e drejtuesve është Leon Goretzka, mesfushori gjerman i Bayern Munich.
30-vjeçari, i cili mbush 31 vjeç në shkurt, është në skadencë kontrate me bavarezët dhe synon një aventurë të re.
Profili i tij vlerësohet nga Milani për përvojën e madhe ndërkombëtare, fleksibilitetin në mesfushë dhe faktin se mund të transferohet pa kosto kartoni.
Në aspektin sportiv, Goretzka përfaqëson një opsion interesant për mesfushën e Milanit të sezonit 2026–2027, pasi është i aftë të luajë në disa role dhe garanton fizik e cilësi.
Megjithatë, ekziston një pengesë e rëndësishme: paga. Aktualisht, Goretzka përfiton rreth 7 milionë euro neto në sezon, shifër shumë e lartë për parametrat financiarë të Milanit.
Pikërisht kjo kërkesë ekonomike është arsyeja kryesore e ndarjes së tij të pashmangshme me Bayern Munich, pasi klubi gjerman po ndjek një politikë të uljes së shpenzimeve dhe lojtari nuk ka pranuar reduktim page.
Përveç kësaj, në negociata do të përfshiheshin edhe komisione të konsiderueshme për agjentët.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në vendimin e Milanit lidhet me të ardhmen e Modrić.
Qëndrimi i kroatit mund ta shtyjë klubin drejt profileve të tjera, edhe pse Goretzka mund të aktivizohej si mesfushor i avancuar dhe të bashkëjetonte në një repart shumë cilësor, sidomos nëse do të shtohej edhe Adrien Rabiot.